Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes ka thënë se pesë ushtarë turq humbën jetën gjatë një përleshjeje me terroristët që tentonin të depërtonin në një bazë ushtarake në zonën e Operacionit Claw-Lock.
“Pesë nga shokët tanë të guximshëm ranë dëshmorë në një përleshje me terroristët që tentonin të depërtonin në bazën tonë në zonën e Operacionit Claw-Lock”, tha ministria në një deklaratë të premten, duke shtuar se tetë ushtarë u plagosën gjithashtu, tre prej tyre në gjendje kritike.
Të plagosurit u transferuan në spital, thuhet në deklaratë, duke shtuar se të paktën 12 terroristë u neutralizuan gjatë luftimeve.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare shprehu dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për ngjarjen, duke u shprehur ngushëllime familjarëve të ushtarëve të rënë dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.
“Në këtë ngjarje tragjike që na ka zhytur në trishtim të thellë, ne shprehim lutjet dhe ngushëllimet tona për dëshmorët”, thuhet në deklaratë.
Pas vrasjes së ushtarëve turq, Drejtori i Komunikimit të Türkiyes, Fahrettin Altun, lëshoi një deklaratë, duke përcjellë ngushëllimet e tij për familjet e ushtarëve të rënë, duke thënë: “Ne shprehim lutjet tona dhe ngushëllimet më të thella për familjet e ushtarëve trima që sakrifikuan jetën e tyre. duke mbrojtur kombin tonë”.
“Allahu i mëshiroftë dëshmorët tanë dhe i urojmë shërim të shpejtë ushtarëve tanë të lënduar”, shtoi ai.
Ai dënoi ashpër terrorizmin separatist dhe mbështetësit e tij, duke thënë: “Një mijë mallkime për armikun e përbashkët të njerëzimit, terrorizmin separatist dhe ata që e mbështesin atë”.
“Ne do të vazhdojmë luftën tonë me vendosmëri derisa të çrrënjoset rrënja e të gjitha formave të terrorizmit dhe nuk do të lejojmë që gjaku i asnjë dëshmori të jetë i kotë”, u shpreh ai.
Türkiye nisi operacionin Claw-Lock vitin e kaluar në prill për të shënjestruar strehët e grupit terrorist PKK në rajonet Metina, Zap dhe Avasin-Basyan të Irakut verior, të vendosura pranë kufirit turk.
Ai u parapri nga dy operacione – Claw-Tiger dhe Claw-Eagle – të nisura në vitin 2020 për të çrrënjosur terroristët që fshiheshin në Irakun verior dhe komplotonin sulme ndërkufitare në Türkiye.