Stoltenberg në Ankara: NATO-ja qëndron pranë Türkiyes / Foto: AA

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se tërmetet në Türkiye janë fatkeqësia më vdekjeprurëse dhe më e tmerrshme në territoret e Aleancës Veriatlantike që nga themelimi i NATO-s.

Stoltenberg ka vizituar sot Ankaranë dhe u është drejtuar gazetarëve në një konferencë për media pas takimit me Ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.

“NATO-ja ndodhet këtu për të treguar se është në solidaritet me Türkiyen. Në takimin tonë të Komitetit të Ministrave të kësaj jave mbajtëm një minutë heshtje. NATO-ja është bashkë me Türkiyen në momentin kur keni nevojë", tha Stoltenberg.

Stoltenberg theksoi se në Türkiye u dërguan mijëra ndihma dhe ekipe të kërkim-shpëtimit emergjent nga vende të ndryshme të NATO-s.

Ai tha se në mesin e ekipeve të kërkim-shpëtimit që mbërritën në Türkiye përfshihen zjarrfikës dhe ekspertë mjekësorë.

"Aleatët e NATO-s vazhdojnë të japin mbështetjen e tyre. Avionët e siguruar nga Holanda, Norvegjia, Britania e Madhe dhe ShBA-ja punojnë ditë natë për të transportuar ndihmat ndërkombëtare në këtë territor. Shqipëria, Kanadaja, Gjermania vazhdojnë mbështetjen në mënyrë të ndryshme financiare dhe të ndihmës”, tha Stoltenberg.

AA