Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha se 27 vende të BE-së kanë "kërkesë të prerë" që të mos sulmohen uzinat bërthamore në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Borrell iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përpara një forumi të mbajtur në rajonin e Galicisë në veri të Spanjës.
"Një sulm i mundshëm ndaj uzinave bërthamore në Lindjen e Mesme do të ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm, do të shkaktonte pasoja të pallogaritshme dhe një përshkallëzim të luftës në rajon, dhe është kërkesa absolute e BE-së për të parandaluar një incident të tillë", tha Borrell.
Ai përsëriti thirrjen për armëpushim për të ndaluar sulmet e Izraelit në Liban dhe Rripin e Gazës dhe për të garantuar kthimin e të gjithë civilëve në shtëpitë e tyre.
Duke kujtuar se BE-ja me 30 milionë euro shtesë vendosi të rrisë ndihmën e saj humanitare për rajonin në 100 milionë euro, Borrell dënoi sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe tha se kjo nuk ka asnjë dobi për çështjen palestineze.
Borrell përsëriti mbështetjen e tij për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të cilin Izraeli e shpalli "persona non grata" dhe falënderoi Guterresin për "punën e tij në emër të paqes.