Kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, mori pjesë në përkujtimoren në Londër si pjesë e Ditës Kombëtare të Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për Srebrenicën në Zyrën e Punëve të Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillimit të Britanisë së Madhe.
Beqiroviç iu drejtua personaliteteve, duke përfshirë anëtarë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe të dy dhomave të Parlamentit.
Ai shprehu mirënjohje për Qeverinë dhe Parlamentin e Britanisë së Madhe që pohojnë të vërtetën për gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve në Srebrenicë. Ai ka shprehur falënderime të veçanta për kryetarin e fondacionit “Të kujtojmë Srebrenicën”, dr. Waqar Azmiun dhe miqtë e këtij fondacioni.
"Qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës e vlerësojnë shumë angazhimin e Britanisë së Madhe, e cila në vitin 2015 i propozoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) Rezolutën për Srebrenicën. Fatkeqësisht, miratimi i tekstit të rezolutës u ndal nga Federata Ruse. Megjithatë, ata nuk na penguan në luftën për drejtësinë. Rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së si dita Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe paraqet një akt shumë moral dhe qytetërues të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së", tha Bećirović.
Ai theksoi se Evropa dhe bota duhet të mësojnë nga Srebrenica dhe Bosnja e Hercegovina.
"Çdo e keqe që ne nuk e ndalojmë në fillim bëhet më e madhe dhe më e rrezikshme më vonë. Le ta ndalojmë së bashku të keqen e re në Bosnje e Hercegovinë. Agresioni kundër Ukrainës duhet të jetë një paralajmërim se çfarë ndodh kur politikat e rrezikshme injorohen. Në Evropë dhe në botë, ne duhet të ndërtojmë një kulturë të kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Me kulturën e kujtesës luftojmë për demokraci dhe të drejtat e njeriut. Me përkujtim luftojmë për një të ardhme të sigurt për brezat e rinj. Faleminderit Britanisë së Madhe për ruajtjen e së vërtetës për gjenocidin në Srebrenicë. Faleminderit Britanisë së Madhe për gjithë ndihmën ndaj Bosnjës e Hercegovinës. Ne jemi një vend që kujton dhe vlerëson miqtë dhe aleatët e tij”, përfundoi Bećirović.