Shtatëvjeçarja Hayat, e cila u plagos në të dyja këmbët gjatë sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, ëndërron të kthehet në shtëpi.
Nëna e saj dhe shumë të afërm të tjerë u vranë në sulmet izraelite.
Ekipi i Anadolus filmoi vajzën e vogël në një karrocë me rrota duke luajtur me një kukull në oborrin e spitalit Aqsa në Deir ül Belah. Me të ishte edhe babai i saj.
Vajza dhe familja e saj duhej të linin shtëpinë e tyre në veri të Rripit të Gazës dhe të gjenin strehim në pjesën qendrore të enklavës së rrethuar.
U strehuan në shtëpinë e një të afërmi. Megjithatë, ajo shtëpi në kampin e refugjatëve Nusayrat u bombardua gjithashtu.
“Nëna ime, gjyshi im dhe disa nga të afërmit e mi vdiqën në sulm. Unë jam e plagosur. Më çuan në spital”, tha Hayat.
Vajza e vogël palestineze shpreson të trajtohet jashtë vendit.
“Emri im është Hayat, e dua jetën dhe dua të jetoj. Dua të trajtohem në Egjipt, të shërohem dhe të kthehem në shtëpi, të shkoj te gjyshërit dhe të luaj përsëri”, tha vajza.
Ajo përpiqet të harrojë frikën e sulmit duke luajtur me kushërinjtë e saj.
Babai i saj Jaffer Makbel tha se pas sulmeve izraelite në Rripin e Gazës më 7 tetor, ata u larguan nga rajoni Al-Kerama në veri dhe u strehuan në shtëpinë e një të afërmi në kampin e refugjatëve Nusayrat.
Ai ka deklaruar se ndërtesa trekatëshe është bombarduar derisa ata ishin brenda.
“Tetëmbëdhjetë nga të afërmit e mi vdiqën në sulm, duke përfshirë gruan, babain dhe vëllain tim. Vajza ime pësoi fraktura në të dyja këmbët dhe lëndime të tjera. "Hayat ka nevojë për trajtim të mëtejshëm për të qenë në gjendje të ecë përsëri," tha Makbel.