Britani e Madhe: Pas 30 vitesh jepet licencë për minierë qymyri. / Photo: Reuters

Qeveria britanike ka dhënë leje për një minierë qymyri për herë të parë pas 30 vitesh.

Sekretari i Zhvillimit dhe Strehimit Social në Britani të Madhe, Michael Gove, miratoi projektin e minierës së qymyrit në veriperëndim të Cumbria-s, sipas një deklarate të qeverisë.

"Ky qymyr do të përdoret në fazën e prodhimit të çelikut, i cili do të duhet të importohet nga jashtë nëse nuk prodhohet në vend. Nuk përdoret për prodhimin e energjisë elektrike", sqaroi Gove. Kjo minierë pritet të kontribuojë në punësimin lokal dhe ekonominë më të gjerë. Pjesa më e madhe e qymyrit të prodhuar pritet të eksportohet në Evropë. Dokumentet e planifikimit tregojnë se më shumë se 80 për qind e qymyrit që miniera do të prodhojë çdo vit, (pas pesë vitesh) do të dërgohet në një terminal eksporti në bregun lindor të Anglisë.

Mediat britanike komentuan se miniera pritet të nxjerrë 2,8 milionë tonë qymyr në vit me një investim prej 165 milionë funtesh dhe u theksua se qeveria për herë të parë pas 30 vitesh i jep licencë një miniere.

Ekspertët theksojnë se kur miniera të jetë në funksion do të shkaktojë 400 mijë tonë gazra serrë në vit.

Greenpeace në deklaratën e saj tha se Britania e Madhe ka "zgjedhur të bëhet superfuqi në aspektin e hipokrizisë klimatike" në vend që të jetë lider në ngritjen e vetëdijesimit për klimën.

Qeveria britanike ka paralajmëruar më parë se synon të arrijë zero emetime karboni në vend deri në vitin 2050.

TRT Balkan / agjencitë