Sllovenia, Kroacia dhe Italia me patrullime të përbashkëta kufitare / Photo: AA

Autoritetet e Sllovenisë, Kroacisë dhe Italisë kanë nënshkruar një marrëveshje për patrulla të përbashkëta policore që do të dërgohen në kufirin e jashtëm të Shengenit në Kroaci.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministrat e brendshëm të tri vendeve në një takim dje në Nova Goricë.

Të tre ministrat thanë se qëllimi kryesor është rivendosja e regjimit Shengen, i cili lejon udhëtimin midis vendeve të zonës Shengen pa pasaporta dhe pika kontrolli.

Ministri i Brendshëm slloven Boshtan Poklukar tha se patrullimet e përbashkëta do të ndihmonin në eliminimin e nevojës për kontrolle të kufirit të brendshëm.

Italia rivendosi kontrollet policore në kufirin e saj me Slloveninë pas fillimit të sulmeve izraelite në Gaza në tetor 2023, duke e shtyrë Slloveninë të bënte të njëjtën gjë në kufirin e saj me Kroacinë.

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi pret që lëvizja e lirë përtej kufirit mund të rikthehet brenda rreth një viti.

Ministri i Brendshëm kroat Davor Bozhinoviq tha se kjo marrëveshje përfaqëson mënyrën se si BE-ja do ta luftojë migrimin e paligjshëm në të ardhmen.

TRT Balkan / agjencitë