Zelenskyy: Anëtarësimi në NATO, kyç për paqen në 2025 / Photo: AA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thekson rëndësinë e anëtarësimit në NATO për një “paqë të vërtetë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të hënën theksoi se anëtarësimi në NATO është kyç për sigurimin e një "paqë të vërtetë dhe të qëndrueshme" në Ukrainë në vitin 2025.

"Nëse anëtarësimi në NATO mbetet i mbyllur për Ukrainën, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse ta ndërtojmë NATO-n brenda Ukrainës," deklaroi Zelenskyy në fjalimin e tij hapës në samitin "Mbështet Ukrainën" në Kiev.

"Kjo do të thotë sigurimin e fondeve të nevojshme, kontingjenteve ushtarake dhe prodhimit të mbrojtjes për të garantuar paqen. A mund ta bëjmë këtë të vetëm? Jo," shtoi ai.

"Ne duhet të jemi të sinqertë: Ukraina e meriton jo vetëm anëtarësimin në BE, por edhe garancitë e sigurisë që ofron NATO," theksoi presidenti ukrainas.

Samiti, i mbajtur në përvjetorin e tretë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, mblodhi së bashku liderë nga Letonia, Lituania, Estonia, Spanja, Kanadaja, Finlanda, Danimarka, Islanda, Norvegjia dhe Suedia, ndër të tjerë. Në ngjarje ishin të pranishëm edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Disa liderë shtetesh morën pjesë në sesion përmes video-konference.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shtyrë përpara idenë e një marrëveshjeje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa zyrtarët ukrainas dhe evropianë deri më tani nuk kanë qenë pjesë e këtyre diskutimeve.

Administrata e tij ka sinjalizuar gjithashtu se aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe rikthimin e kufijve para vitit 2014 nuk janë realiste.

"Ky vit duhet të shënojë fillimin e një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme"

"Ky vit duhet të jetë viti kur fillon një paqe e vërtetë dhe e besueshme. Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të na e japë këtë paqe, as nuk do ta ofrojë në këmbim të diçkaje," deklaroi Zelenskyy duke shtuar se ata duhet ta arrijnë paqen përmes forcës, mençurisë dhe unitetit të bashkëpunimit të ndërrsjelltë."

Duke përshkruar hapat kyç për të arritur një paqe të qëndrueshme, Zelenskyy theksoi: "Ukraina dhe Evropa duhet të jenë në tryezën e negociatave."

"Lufta po zhvillohet kundër Ukrainës, prandaj Ukraina duhet të jetë në tryezën e negociatave së bashku me Evropën," tha ai.

"Pas gjithë kësaj, objektivi strategjik i Rusisë është pikërisht Evropa, mënyra evropiane e jetesës. Kjo do të thotë se siguria dhe e ardhmja e Evropës nuk mund të vendosen pa Evropën," shtoi presidenti ukrainas.

Ai theksoi se fundi i luftës duhet të nisë me hapa që rikthejnë besimin, siç është lirimi i të burgosurve.

"Rusia duhet të lirojë ukrainasit. Ukraina është e gatshme për një shkëmbim 'të gjithë për të gjithë', dhe kjo është zgjidhja e drejtë," deklaroi ai.

Duke nënvizuar rëndësinë e angazhimeve për mbrojtjen ajrore, lideri ukrainas tha: "Ne duhet të punojmë së bashku për të krijuar një sistem efektiv të garancive të sigurisë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe në gjithë Evropën."

Zelenskyy gjithashtu theksoi nevojën për unitet, duke thënë: "Në këtë moment, duhet të bëjmë më shumë se dje, të mbështesim njëri-tjetrin më shumë se kurrë, në mënyrë që në fund të këtij viti të mund të themi: ‘Ne bëmë gjithçka që mundëm dhe duhej të bënim, dhe ja ku është paqja.’"

TRT Balkan / agjencitë