Gjykata në Hagë cakton paraburgim për Isni Kilajn.     \Foto: Kosova Press

Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar paraburgim për Isni Kilaj, i cili më 3 nëntor ishte arrestuar nga policia e EULEX-it në Kosovë, nën dyshimin për pengim të drejtësisë.

Kilaj u transferua në Hagë të premten, ndërsa të shtunën doli për herë të parë në sallën e gjyqit. Siç është njoftuar sot në uebfaqen e gjykatës, gjyqtari i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Nicolas Guillou, ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Isni Kilajn.

Në vendim thuhet, ndër të tjerash, se gjyqtari Guillou, pasi mori në shqyrtim deklaratat e palëve në procedurë, konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se Kilaj ka kryer vepra penale kundër organeve të drejtësisë, të cilat janë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe se për shkak të rrezikut të ikjes dhe rreziqeve të tjera, zgjatja e paraburgimit për të dyshuarin është vendimi i duhur.

Prokurori i specializuar ka lëshuar urdhërarrest për Isni Kilaj për vepra penale kundër organeve të drejtësisë, duke përfshirë pengimin e një zyrtari në kryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e fshehtësisë së procedurës.

Prokuroria e Specializuar e konsideron pengimin e drejtësisë si vepër jashtëzakonisht të rëndë dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht këdo që është i përfshirë në raste të tilla, përfshirë ata që frikësojnë ose ndërhyjnë te dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare a të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale.

Kilaj është ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetar i Komunës së Malishevës.

Kosova Press