Dialogu i Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), duhet të fokusohet në marrëveshjen finale ka vlerësuar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një analizë të titulluar "Dialogu Kosovë-Serbi: Një hap para, tre hapa prapa".
Sipas KDI-së, përpos marrëveshjes finale në fokus të bisedimeve, pala kosovare duhet që të zhvillojë edhe dialog të brendshëm me komunitetin serb në Kosovë, ndërsa gjithashtu ajo duhet të jetë më transparente dhe llogaridhënëse ndaj Kuvendit të Kosovës dhe publikut të gjerë për të informuar saktë për procesin e dialogut.
Sipas Violeta Haxhollit nga KDI, qytetarët kosovarë po informohen rreth asaj se çfarë ka ndodhur më 18 gusht, kur u takuan së fundmi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nga burime jo adekuate të informimit, sikurse nga konferencat e presidentit Vuçiq nga Beogradi.
Haxholli ka theksuar se vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mbetet faktor i rëndësishëm për politikën e jashtme të Kosovës në veçanti, por edhe stabilitetin në rajon në përgjithësi.
"Me gjithë marrëveshjet e shumta përgjatë gjysmës së parë të procesit, dialogu ka prodhuar paqartësi, ndërsa dy vendet ende nuk kanë arritur një marrëveshje finale. Diskutimet në kuadër të dialogut janë zhvilluar kryesisht për tema teknike, për të cilat është diskutuar e ridiskutuar varësisht nga zhvillimet në terren", tha ajo.
Haxholli theksoi se, pas shumë përpjekjeve palët janë dakorduar për një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes për energji, ndërsa ende nuk ka marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe personat e pagjetur.
Por, ajo thekson se edhe dakordimi i ri për udhërrëfyesin për energji duket se do ta përcjellë e njëjta praktikë e mos zbatimit, "pasi që Serbia nuk i ka zbatuar pikat e udhërrëfyesit sipas afateve të përcaktuara", ndërsa ajo thotë se kjo situatë do t’i detyrojë palët që të diskutojnë sërish për këtë çështje.
KDI thotë se paralel me vazhdimin e procesit të dialogut, Qeveria duhet të zbatojë në praktikë idenë për dialog të brendshëm me komunitetin serb në Kosovë, me qëllim të integrimit të këtij komuniteti.
"Qeveria duhet të organizojë kampanja sistematike të informimit në terren që shkojnë përtej publikimeve në rrjetet sociale. Në këtë drejtim duhet të ketë bashkëpunim me komunat serbe për shpërndarjen e informacioneve tek ky komunitet", theksoi Haxholli duke ju referuar video-mesazheve me të cilat kryeministri Kurti së voni i është drejtuar komunitetit serb për legalizimin e targave të automjeteve.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u takuan më 18 gusht në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Pas takimit me përfaqësuesit serbë nga Kosova javën e kaluar, Vuçiq në një adresim drejtuar kombit, tha se nuk e di se cila mund të jetë zgjidhja e kompromisit për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që gjatë ditës së nesërme para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të shpalosë detaje rreth temave të diskutuara në Bruksel.
23 Gus 2022
KDI: Kosova të zhvilloj edhe dialog të brendshëm me komunitetin serb
Qytetarët e Kosovës, sipas analizës së fundit të Institutit Demokratik të Kosovës, për takimin e 18 gushtit mes Kosovës dhe Serbisë, po informohen nga burime jo adekuate të informimit.
AA
Lajme të ngjashme
Kurti: Dënim maksimal për vrasësit e Liridonës dhe 14-vjeçares në Shkup
Kurti po ashtu ka kujtuar se disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra dhe në shumë raste edhe në prani të familjarëve, për çka tha se kjo dukuri duhet të zhduket përgjithmonë.
Artikujt në këtë kategori
Monumenti i simbol i pavarësisë së Kosovës "NEWBORN" merr pamje të re
"E pëlqeve apo e urreve, e deshe apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pashmangshme e jetëve tona", ka thënë Ismaili për dizajnin e këtij viti të monumentit të pavarësisë.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.