Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij sot para trupit gjykues në Hagë deklaroi se nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në asnjë vrasje ose në ndonjë politikë tjetër kriminale.
Ish-kryeparlamentari Krasniqi tha se nuk e kupton logjikën e akuzës kundër tij.
Ai tha se këtë fjalim para trupit gjykues po e bën jo për të mbrojtur vetveten nga njollosja që i bëhet nga akuza e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), por për të ndriçuar atë që tregon pafajësinë e tij.
“Unë nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme kundër meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura e dëbime, unë e urrej dhunën, vrasjet, burgosjet, torturat dënimet jo vetëm pse janë ushtruar ndaj popullit tonë dhe meje personalisht, por sepse i konsideroj si tejet të ulëta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën do të thotë se unë, Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, ka thënë Krasniqi.
Ndër të tjerash, Krasniqi gjatë fjalës së tij ka folur edhe për angazhimin e tij në LDK, ku ka mohuar pretendimet e ZPS-së për persekutimin e anëtarëve të kësaj partie, teksa ka përmendur angazhimin e vëllait dhe mbesës së tij në LDK.
“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar LDK-në. Unë vetë isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendje e çoroditur mund të mendojë se kam qenë pjesë e persekutimit të familjarëve të mi dhe bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të mi”, ka thënë ai.
Më tutje Krasniqi para trupit gjykues u shpreh se aktakuza e ZPS-së e ka lënduar më shumë se sa torturat mizore që përjetoi nga regjimi serb.
Ai tha se edhe pretendimet për trafikim organesh u hodhën poshtë.
Në fjalën e tij hyrëse para Speciales, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, u shpreh se kurrë nuk ka qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit, dhe se asnjëherë në jetën e tij nuk ka kryer ndonjë vepër penale.
Gjatë ditës së sotme në Hagë fjalën hyrëse e ka thënë edhe mbrojtja e Krasniqit.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme deklaratat hyrëse i kanë thënë edhe mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ajo e ish-deputetit Rexhep Selimi.
Gjithashtu, nga një deklaratë pa betim, të martën e ka dhënë edhe ish-presidenti Thaçi dhe ish-deputeti Selimi.
Ndërsa, të hënën para trupit gjykues në Gjykatën Speciale deklaratën hyrëse e ka dhënë edhe ZPS-ja.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.