I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, zv/ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, si dhe këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë, Jens Plötner, Emmanuel Bonne dhe Maria Talò takuan sot në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Temë qendrore e takimit ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e propozimit të ashtuquajtur “franko-gjerman”, i cili u është prezantuar palëve në Bruksel.
Pas takimit dyorësh, përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, tha se nuk ishte fare takim i lehtë, por ishte i sinqertë dhe i hapur.
“Qëllimi i takimit me Kurtin ishte propozimi ynë për normalizim të marrëdhënieve që e prezantuam në shtator dhe pastaj në dhjetor. I kaluam më shumë se dy orë, takimi ishte i gjatë, jo i lehtë, por ishte i sinqertë dhe i hapur. Është ende herët të bëj ndonjë deklaratë dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të udhëtojmë edhe për në Beograd”, deklaroi Lajçak.
Ai tha se ka pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë që ofron propozimi i hartuar në fund të vitit të kaluar.
“Nuk mund të them shumë, por mund të them se kemi pritur mirëkuptim më të madh për mundësitë që ofron ky propozim. Shpresoj se do të arrijmë aty. Ne do të vazhdojmë të punojmë”, tha Lajçak para gazetarëve.
Pas takimit me Kurtin, pesëshja ndërkombëtare udhëton për në Beograd, ku pritet të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.