Maqedonci: Kosova rrezikohet nga kërcënimet e Serbisë / Photo: Kosovapress

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, deklaron se Kosova është në rrezik nga kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, pasi kjo e fundit po mbështet grupet e armatosura paramilitare.

Maqedonci thotë se Serbia ka dislokuar tri brigada ushtarake në jug të territorit të saj dhe përgjatë vijës kufitare me Kosovën ka vendosur 48 baza operacionale.

Në intervistën për KosovaPress, ai deklaron se Bashkimi Evropian po heziton të sanksionojë Serbinë për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit.

Në aspektin e mbrojtjes dhe përgatitjes ai tha se Kosova është shumë afër NATO-s. Mirëpo, sipas tij, hezitimi ndërlidhet me disa vende jonjohëse të Republikës së Kosovës për të përkrahur këtë iniciativë.

Teksa flet për 24 shtatorin, Maqedonci tha se sulmi në Banjskë të Zveçanit ka qenë i mbështetur nga strukturat shtetërore të Serbisë. Sipas tij, qëllimi ka qenë për shkëputjen e asaj pjese të territorit të Kosovës.

“Vlerësojmë që rreziku vazhdon të mbetet prezent përderisa mbetet prezente qasja hegjemoniste e Serbisë në raport jo vetëm me Kosovën, por edhe me fqinjët e tjerë. Pra, është qasja hegjemoniste që njëfarë forme i drejton të gjitha këto aktivitete që pastaj rrezikojnë sigurinë edhe stabilitetin në rajon. Me të vërtetë e gjithë kjo gjendje na jep të dimë që ka rrezik dhe gjithmonë vendi ynë është nën kërcënim”, deklaron Maqedonci.

Megjithatë, ministri i Mbrojtjes zotohet se kanë marrë të gjitha masat që vendi të jetë i gatshëm të përballet me këto kërcënime, në koordinim me KFOR-in dhe partnerët e tjerë.

Maqedonci thotë se futja e armatimit nga terroristët serbë në Kosovë është bërë në dy vjetët e fundit. Sipas tij, KFOR-i e ka të pamundur të kontrollojë gjithë hapësirën kufitare me Serbinë.

Maqedonci zbuloi se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe”.

TRT Balkan / agjencitë