Policia e Kosovës dhe FFK-ja publikojnë planin për ndeshjen Kosovë-Izrael      / Foto: AA

Hapja e dyerve të stadiumit Fadil Vokrri në Prishtinë për ndeshjen kualifikuese për EURO 2024 mes Kosovës dhe Izraelit do të bëhet në orën 18:00, thuhet në njoftimin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

Nëpërmjet kësaj komunikate palët kanë bërë të ditur se kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtje e kësah ndeshjes sportive.

“Në organizim të kësaj ndeshje me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), janë angazhuar si çdo herë FFK-ja, Policia e Kosovës (PK) për sa i përket aspektit të sigurisë, si dhe kompania e sigurimit privat për siguri në perimetrin e brendshëm”, thuhet në komunikatë.

Për këtë ndeshje Policia e Kosovës dhe FFK-ja, bazuar në informacionet dhe vlerësimet operacionale, kanë hartuar urdhër operativ policor i cili synon sigurinë e përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.

“Shtimin e masave të sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike. Ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e të gjitha dukurive negative që shkaktojnë jostabilitet, parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonin qetësinë publike”, njoftojnë nga Policia e Kosovës dhe FFK-ja.

Pjesë e këtij urdhëri policor është po ashtu shtimi i masave të sigurisë paraprake dhe kontrollimin e turmave eventuale para, gjatë dhe pas evenimentit sportiv si në perimetër të stadiumit e po ashtu sipas nevojës edhe në qytet, sheshe etj.

Sipas njoftimit, rruga rreth stadiumit do të jetë e bllokuar për qarkullim të automjeteve, ndërsa do të lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve.

“Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e bartjes së gjësendeve të palejuara ose të rrezikshme në portat hyrëse”, thotë Policia e Kosovës.

Ndryshe, veturat për qasje në parkingun zyrtar sipas autoriteteve duhet të jenë të pajisura me parking PASS, në të kundërtën nuk do të lejohet parkimi në atë zonë.

TRT Balkan