Organizatori i sulmit në fshatin Banjskë, në Veri të Kosovës, Millan Radojçiq, sot është marrë në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd.
Prokuroria e ngarkon Radojçiqin nën dyshimin se ka kryer veprat penale të komplotit për kryerjen e veprave penale, prodhimi i paligjshëm, posedimi, mbajtjen dhe trafikimin e armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Gjatë intervistimit i dyshuari ka mohuar kryerjen e veprave penale që i ngarkohen.
Pas seancës, prokuroria i propozoi gjyqtarit për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarin Radoiçiq për shkak të rrezikut të arratisjes.
Urdhri për kryerjen e hetimeve përfshin disa persona, për momentin, të panjohur, të cilët akuzohen për veprën penale të krimeve të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
“Sipas urdhrit të hetimit, Millan R. akuzohet se ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese të fuqisë së madhe shkatërruese nga Tuzla e Bosnjës e Hercegovinës, të cilat i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit, nga janari 2023 deri më 24 shtator në relacionin Bubanj Potok – Vërçin, të cilat më pas i ka transportuar dhe ruajtur në lokacione të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në ndërtesa dhe pyje të braktisura, kështu si kryetar i një grupi me disa persona të panjohur, me veprim të përbashkët dhe përgjithësisht të rrezikshëm më 24 shtator ka rrezikuar jetën e njerëzve në qytetin e Banjskës në territorin e Kosovës”, njoftoi Prokuroria e Lartë në Beograd.
Radojçiq më herët ka pranuar se ka organizuar personalisht një grup sulmuesish të armatosur që janë përgjegjës për konfliktin në veri të Kosovës dhe se nuk e ka njoftuar askënd për qëllimin e tij.
Si pasojë e sulmit të 24 shtatori një polic i Kosovës humbi jetën dhe disa të tjerë u lënduan. Nga kundërsulmi i policëve humbën jetën tre terroristë dhe dy të tjerë u arrestuan.