Stoltenberg: Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut / Foto: Reuters

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka qëndruar në Berlin ku është pritur nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Në këtë takim, është diskutuar edhe për situatën në veri të Republikës së Kosovës.

Në konferencën për media pas takimit, Stoltenberg deklaroi se KFOR-i do të vazhdojë t'i marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

Ai gjithashtu kërkoi që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut dhe të ndalojnë çdo hap përshkallëzues.

“Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona, KFOR-i, do të vazhdojnë t'i marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ndalojnë çdo hap të mëtejshëm përshkallëzues dhe t'i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Stoltenberg.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ende i pavendosur nëse do të shkojë në Bruksel për takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq gjatë kësaj jave.

Kryeministri Kurti deklaroi se fillimisht do të presë të dhënat për gjendjen e tre policëve të rrëmbyer që po mbahen peng në Serbi. Ai bëri të ditur se nesër shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, do t’i vizitojë tre policët në qendrën e paraburgimit në Kralevë.

Stoltenberg: Nuk ka plane për të ftuar zyrtarisht Ukrainën në NATO

Stoltenberg tha se nuk ka plane për t'i bërë një ftesë zyrtare Ukrainës për t'iu bashkuar aleancës ushtarake kur aleatët të takohen në samitin e tyre të ardhshëm në korrik.

“Ne nuk po diskutojmë çështjen e një ftese zyrtare. Ajo që ne po diskutojmë është se si ta afrojmë Ukrainën me NATO-n dhe ka konsultime të vazhdueshme dhe unë nuk jam në gjendje të parandaloj rezultatin e këtyre konsultimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin.

“Samiti i Vilniusit në korrik do të përcaktojë një vizion për të ardhmen e Ukrainës si një anëtare e pavarur demokratike e familjes euroatlantike”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka bërë presion për një vendim "të qartë" për rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO në samitin e muajit të ardhshëm, përndryshe, ai nuk sheh asnjë kuptim për të marrë pjesë në të.

Stoltenberg theksoi se aleatët do të "përsërisin mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën" në luftën e saj me Rusinë.

Ndërkohë, kancelari gjerman e bëri të qartë sërish se “NATO-ja nuk do të bëhet palë” në luftën e Ukrainës, e cila shpërtheu vitin e kaluar në shkurt.

“Ne duhet të jemi të përgatitur që lufta e agresionit rus mund të zgjasë shumë. Ne po përgatitemi për këtë dhe i përshtatëm politikat tona në përputhje me rrethanat. Gjermania do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Scholz.

Bisedimet midis Stoltenbergut dhe Scholzit në Berlin u fokusuan në përgatitjet për samitin e NATO-s në Vilnius.

AA