Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Özkan Ulutaş, ka zhvilluar takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorët e vendeve të BE-së dhe shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Në një njoftim të shpërnarë nga misioni i KFOR-it në Kosovë thuhet se palët kanë shkëmbyer pikëpamjet për një sërë temash, përfshirë aktivitetet e KFOR-it, bashkëpunimin me policinë dhe EULEX-in dhe përpjekjet e sigurisë në mbështetje të dialogut Kosovë - Serbi.
“U shkëmbyen mendime për disa tema, duke përfshirë aktivitetet e KFOR-it, bashkëpunimin e KFOR-it me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in dhe përpjekjet e vazhdueshme të tij për sigurinë në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Gjeneralmajor Ulutaş theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e Komunitetit Ndërkombëtar, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në deklaratën e KFOR-it në Facebook.
KFOR-i thekson se është duke përmbushur mandatin e vet për ambient të sigurt në çdo kohë dhë në mënyrë të paanshme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.