Varhelyi: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet pa vonesa dhe parakushte      /Foto: AA

Komisari evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhelyi, gjatë prononcimit në Komitetin për Politikë të Jashtme të BE-së lidhur me përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, theksoi sërish kërkesën e BE-së që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së, pa vonesa dhe parakushte.

“Si Kosovës, ashtu edhe Serbisë u kërkohet të angazhohen në mënyrë më konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja nëpërmjet zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt normalizimit dhe zbatimit të Aneksit të saj, si dhe marrëveshjeve të tjera të mëparshme të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja pa ndonjë vonesë ose parakusht”, tha komisari Varhelyi.

Ai përmendi veçanërisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një nga pikat e Marrëveshjes së Ohrit.

“Këtu përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe normalizimi i marrëdhënieve është kusht thelbësor në rrugën evropiane për të dyja palët”, tha Varhelyi.

BE-ja i ka dorëzuar Kosovës një draft-statut për themelimin e Asociacionit, i cili po shqyrtohet aktualisht nga autoritetet e Kosovës. Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në Ohër më 18 mars të këtij viti. Serbia, e përfaqësuar nga presidenti i saj Aleksandar Vuçiq, nuk vendosi firmën mbi këtë marrëveshje, pavarësisht dakordimit rreth përmbajtjes së saj.

TRT Balkan