Vuçiq: Kosova do të jetë “në Serbi” edhe 4 vitet e ardhshme / Foto: Tanjug

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Kosova do të jetë "në Serbi" deri në fund të mandatit të tij. Kështu iu përgjigj një pyetjeje mbrëmë, kur iu kërkua qëndrim nga gazetarët nëse e sheh Kosovën më afër Serbisë pas katër vitesh, pra deri në fund të mandatit të tij.

“Mendoj se Kosova do të jetë në Serbi dhe këtë e thashë edhe në Kuvendin Kombëtar. Çfarë do të ndodhë pas meje pyesni dikë tjetër.... Mendoj se do të jetë në Serbi, mendoj se do të vuajmë shumë, sidomos njerëzit tanë në Kosovë”, tha mbrëmë Vuçiq për RTS-në.

Ai tha se përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë kanë arrestuar dje presidentin e ekipit të hendbollit në Shtërpcë për shkak se janë në sistemin serb.

“Pse e bëjnë këtë çdo ditë, cila është taktika e tyre? Taktika e tyre është që të mos e zbatojnë kurrë Asociacionin, nuk duan ta zbatojnë dhe do të gjejnë arsye të panumërta dhe do të provokojnë çdo ditë serbët duke dashur që serbët të provokojnë diçka”, tha Vuçiq.

Presidenti serb akuzoi Kosovën se po i arreston “djemtë më të aftë për të kundërshtuar veprimet e tyre në veri të Kosovës, me qëllim që ta sundojnë atë pjesë me forcë”.

TRT Balkan / agjencitë