Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen deri më 15 dhjetor të afatit për legalizimin e automjeteve me tabela ilegale në ato “RKS”.
Siç njofton Qeveria, ky vendim është marrë në mbledhje elektronike të kabinetit qeveritar dhe si rezultat i kërkesës së madhe dhe interesimit të lartë për regjistrim të automjeteve me targa RKS”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë të datës 30 tetor 2023, duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 15 dhjetor 2023”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) zgjatje të afatit për regjistrimin e automjeteve me tabela ilegale, për shkak se vendimi i vjetër parashihte që ky afat të përfundonte më 30 nëntor 2023.
Elshani deklaroi se nga 1 nëntori deri më 29 nëntor janë regjistruar mbi 3 mijë vetura me targat legale “RKS”, ndërsa theksoi se 800 janë regjistruar më herët.
Pas 15 dhjetorit pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targat legale “RKS” dhe as të hyjnë ose të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe kryeministri Albin Kurti disa herë u kanë bërë thirrje serbëve në Kosovë të cilët kanë automjete me targa ilegale që t’i përkthejnë ato në “RKS” me lehtësira financiare.
Çështja e targave ka shkaktuar disa herë me radhë kriza në veri. Më 31 korrik 2022 u ngritën barrikada në rrugët kryesore të komunave veriore me shumicë serbe, ndërsa në nëntor 2022 serbët u larguan nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës për shkak të suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut Nenad Gjuriq, i cili nuk pranoi të zbatonte vendimin e Qeverisë për riregjistrimin e automjeteve në “RKS”.