Vendimi i Francës për t’i ndaluar atletët e saj nga veshja e hixhabit, ndërsa përgatitet të presë Olimpiadën e parë në 100 vjet, është i fundit në një seri ndalimesh qeveritare që kanë shkaktuar dënime ndërkombëtare.
Vendi, ku rreth 10 për qind e 67 milionë banorëve të tij janë myslimanë, ka tërhequr sërish vëmendjen me vendimin e tij të fundit për të ndaluar sportistët e tij të mbajnë mbulesa islame, duke filluar nga 26 korriku 2024, data kur do të ndizet flaka olimpike.
Ministrja franceze e Sportit Amelie Oudea-Castera njoftoi gjatë një programi televiziv se sportistet në delegacionin francez nuk do të mund të mbajnë hixhabin gjatë Lojërave Olimpike.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta dhe ka ndezur sërish debatin mbi shkeljet e të drejtave të njeriut.
Diversiteti
Federata e Sporteve e Solidaritetit Islamik, një grupim që përfshin vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), në 2 tetor shprehu “shqetësimin e saj të thellë në lidhje me vendimin e fundit të qeverisë për të penguar atletët francezë që të mbajnë hixhabin në Lojërat Olimpike të Parisit”.
Federata theksoi në deklaratën e saj se “ky ndalim bie ndesh me parimet e barazisë, gjithëpërfshirjes dhe respektit për diversitetin kulturor që përfaqësojnë Lojërat Olimpike”.
Ai erdhi pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (OBI) tha më 29 shtator se “nuk ka kufizime për veshjen e hixhabit ose ndonjë veshje tjetër fetare a kulturore”.
Pozicioni i OBI-t u vlerësua nga ish-kryeministri maroken Saad Eddine el Othmani.
Zëdhënësja e zyrës për të drejtat e Kombeve të Bashkuara, Marta Hurtado, shprehu ndjenja të ngjashme.
“Askush nuk duhet t’i imponojë një gruaje atë që duhet të veshë ose të mos veshë,” tha Hurtado në një deklaratë.
“Këto praktika diskriminuese kundër një grupi mund të kenë pasoja të dëmshme,” shtoi ajo.
Në një kritikë indirekte ndaj pozicionit të Francës, Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë, Ali al Qaradaghi, tha se “qytetet më të mëdha të Britanisë kanë vendosur në rrugët e tyre një skulpturë të një gruaje të veshur me hixhab… Njerëzit e arsyeshëm e kuptojnë strukturën e shoqërinë e tyre dhe kërkojnë të respektojnë privatësinë e identitetit.”
Sekretari i Përgjithshëm i Delegacionit të Federatës Spanjolle të Organeve Fetare Islame në qytetin maroken të Ceutas, Idris al Wahabi, tha se vendime të tilla nga Franca “kanë qëllim të provokojnë myslimanët në përgjithësi dhe marokenët në veçanti”, duke vënë në dukje se marokenët përfaqësojnë grupin më të madh mysliman në Francë.
“Ne po punojmë në koordinim me federatën dhe organet islamike të pranishme në Francë për të kundërshtuar vendime të tilla”, shtoi Wahabi.
Indinjatë në rrjetet sociale
Refuzimi i vendimit të Francës nuk u kufizua vetëm tek organet rajonale e ndërkombëtare dhe figurat publike, pasi kritikat dhe dënimet u përhapën në platformën sociale X.
Shkrimtari dhe analisti politik Yasser al Zaatara e përshkroi vendimin si “histeri” kundër hixhabit dhe futje frike ndaj myslimanëve”.
Duke kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron, Al Zaatara vlerësoi pozicionin e OBI-t, duke e konsideruar atë “një shuplakë për Macronin dhe bandën franceze të islamofobisë”.
“Presidenti francez po lufton hixhabin në Francë me pretekstin se bie ndesh me laicizmin e shtetit. Megjithatë, ai nuk e ka problem të marrë pjesë në një meshë të mbajtur nga Papa”, tha Mohsen al Obaidi al-Saffar.
“Problemi i Macronit nuk është me fenë, por me Islamin në mënyrë specifike,” shtoi ai.
Abdel Hamid al Lingawi tha se “Franca ka dëshmuar se është një vend racist që nuk është i denjë për të pritur Lojërat Olimpike”.