Serbia ka filluar të zvogëlojë grumbullimin e saj masiv ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën, tha të martën administrata e ShBA-së. Një veprim të tillë ata e kanë cilësuar si në një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve rajonale.
"Meqenëse ne deklaruam publikisht se kishim parë forcat serbe në kufi, ne i kemi parë gjithashtu ato të fillojnë t'i largojnë ato forca dhe kjo është një gjë e mirë," u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Sipas Kirbyt "Kjo do të ndihmojë në zbutjen e tensioneve. Nuk do t'i eliminojë ato, por do të ndihmojë në depërshkallëzimin e tyre."
Kirby javën e kaluar dha alarmin për vendosjen ushtarake "të pashembullt", duke thënë se përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi të mekanizuara të këmbësorisë.
Departamenti i Shtetit tha gjithashtu të martën se tërheqja filloi më 29 shtator.
"Ne presim që Serbia të vazhdojë hapat depërshkallëzues, duke përfshirë tërheqjen e vazhdueshme të forcave deri në ose nën normat historike”, tha zëdhënësi Vedant Patel.
Më 24 shtator një përleshje shpërtheu në fshatin Banjska në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, kur një grup serbësh të armatosur bllokuan një urë me dy kamionë. Një shkëmbim zjarri shpërtheu pasi grupi hapi zjarr ndaj policisë, duke lënë të vdekur një polic dhe një tjetër të plagosur.