​Vuçiq: Serbia nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB / Foto: Reuters - Arkiv

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se asnjëherë nuk do të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Gjatë një konference të përbashkët me Ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billström, Vuçiq tha se Serbia do ta përmbushë atë që është marrë vesh, por nuk do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Serbia nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe institucionet e specializuara të Kombeve të Bashkuara, për këtë i kam informuar qartë të gjithë ata që marrin pjesë në negociata edhe palën tjetër, edhe Borellin, edhe Lajçakun, edhe Scholz, edhe Macronin, edhe Blinkenin, dhe të gjithë në rruzullin tokësor me të cilët kemi folur”, ka thënë ai.

Ndërkohë, kryediplomati suedez tha se është e rëndësishme që Serbia të afrohet drejt BE-së duke zbatuar agjendën e reformave dhe duke zbatuar të gjitha dispozitat e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë dhe aneksit të saj.

Nga ana tjetër, presidenti serb Vuçiq tha se do ta përmbushin pjesën e tyre të marrëveshjes pasi që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

TRT Balkan / agjencitë