Drejtpërdrejt: Përpjekje maksimale shpëtimi në rajonet e tërmetit.     /Foto: AA

15:13 Aktualisht mbi 17.000 viktima nga tërmeti në Türkiye dhe Siri

Numri i të vdekurve në Türkiye nga tërmetet është rritur në 16.170, tha residenti Recep Tayyip Erdoğan dhe shtoi se më shumë se 64.000 janë të lënduar. Po ashtu, ai theksoi se mbi 6.400 ndërtesa janë shkatërruar. Një total prej të paktën 3.162 viktimave deri më tani janë konfirmuar në Siri. Në zonat e kontrolluara nga regjimi raportohet 1.262 njerëz të vdekur dhe 1.900 të tjerë në pjesën e veriperëndimit të kontrolluar nga opozita.

13:17 Oktay: Numri i viktimave në Türkiye 14.351
Zv/presidenti i Türkiyes, Fuat Oktay, tha se të paktën 14.351 persona humbën jetën dhe 63.794 të tjerë u plagosën nga dy tërmete të fuqishme që goditën të hënën pjesën jugore të vendit

12:32 Liderët e BE-së ngushëllojnë Erdoğanin, Samiti fillon me 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit Samiti i BE-së fillon me një minutë heshtje në nder të viktimave nga tërmeti në Türkiye dhe Siri. Liderët e Bashkimit Evropian, me anë të një letre të përbashkët dërguar presidentit Recep Tayyip Erdoğan, shprehën ngushëllime dhe solidaritet, si dhe ofruan përkrahjen e tyre pas tërmeteve vdekjeprurëse në jug të Türkiyes më 6 shkurt.



11:48 Numri i viktimave në Türkiye shkon mbi 14.000

Numri i personave që humbën jetën në tërmetet në Kahramanmaraş është 14.014 dhe numri i të lënduarve është 63.794, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan nga Gazientapi, gjatë vizitës së vendeve të prekura nga tërmeti.

10:35 AFAD-i evakuon mbi 28 mijë njerëz nga rajonet e prekura të tërmetit Nga rajonet e prekura të tërmetit në Türkiye, përmes vijës tokësore dhe ajrore janë evakuuar mbi 28 mijë njerëz, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe e Emergjencave (AFAD).

10:00 Përfundojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Şanlıurfa Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe e Emergjencave (AFAD) njoftoi se operacionet e kërkim-shpëtimit në Şanlıurfa përfunduan dhe ekipet u dërguan në rajone të tjera të prekura nga tërmeti. "Ekipet tona kanë përfunduar punën e kërkim-shpëtimit në Şanlıurfa. Ekipet tona të kërkim-shpëtimit në Şanlıurfa u dërguan menjëherë në provincat e tjera ku vazhdon puna", thuhet në deklaratën e AFAD-it.

Sipas të dhënave të fundit të AFAD-it, numri i viktimave si pasojë e tërmetit është rritur në 12.873, ndërsa i të lënduarve në 62.937. AFAD-i bëri të ditur se pas tërmeteve 7.7 dhe 7.6 ballë me qendër rajonet Pazarcık dhe Elbistan në Kahramanmaraş, janë regjistruar 1.117 pasgoditje.

09:58 Rajonet e prekur nga tërmeti komunikojnë përmes dronëve Türkiye shfrytëzon teknologjinë e dronëve për komunikim në rajonet e tërmetit Türkiye ka vënë në përdorim për herë të parë teknologjinë e dronëve për të siguruar komunikim të pandërprerë në rajonet e katastrofave nga tërmeti, tha shefi i industrisë së mbrojtjes. “Fluturakja pa pilot AKSUNGUR edhe transmeton pamje, por edhe siguron shërbim komunikimi celular për shtetasit tanë duke bartur stacion bazë në dron”, deklaroi shefi i industrisë së mbrojtjes, Ismail Demir.

08:50 Türkiye: Një tjetër person u shpëtua nga rrënojat 77 orë pas tërmetit Pas tërmeteve shkatërruese që goditën provincat jugore të Türkiyes të hënën, një person tjetër u shpëtua nga rrënojat në Adiyaman, 77 orë pas tërmetit. Vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në rajonet e prekura nga tërmeti. Ekipet e shpëtimit në Adiyaman dëgjuan një zë nën rrënoja mëngjesin e sotëm dhe pas përpjekjeve të mëdha arritën të tërhiqnin në siguri 36-vjeçarin Yilmaz Cetin. Të mbledhurit kanë festuar me shumë entuziazëm shpëtimin e një personi tjetër i cili më pas është dërguar në spital. Vëllai i të shpëtuarit nuk ka mundur të ndalojë së përqafuari dhe puthur të vëllanë për shkak të gëzimit të tij të madh. Të paktën 12.873 njerëz humbën jetën dhe 62.937 u lënduan pas dy tërmeteve të forta që tronditën Türkiyen jugore të hënën, njoftoi të mërkurën Administrata e Situatave Emergjente (AFAD). Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, prekën dhjetë provinca dhe më shumë se 13 milionë njerëz.

08:27 Rreth 16.000 viktima nga tërmetet në Türkiye dhe Siri
Të paktën 12.873 humbën jetën dhe rreth 70 mijë të tjerë u lënduan nga dy tërmete të forta që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt, njoftoi Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave (AFAD) i Türkiyes. Rritje të numrit të viktimave është regjistruar edhe në vendet e prekura na tërmeti në Siri. Të dhënat e fundit flasin se numri i qytetarëve sirianë që kanë humbur jetën është mbi 3.000. Bazuar në informacionet Organizatës Helmetat e Bardha, në rajonin e kontrolluar nga rebelët, numri i viktimave deri më tani është afërsisht 1.800 të vdekur, përderisa të dhënat e regjimit thonë se në vendet që i kontrollojnë ata numri i viktimave është 1.262.

8 shkurt

16:50 Mbi 9.000 viktima nga tërmeti në Türkiye Numri i personave që kanë humbur jetë deri më tani në tërmetin e fundit në Türkiye është 9.057, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, nga qyteti Hatay. Sipas tij, si pasojë e tërmetit janë lënduar 52.979 njerëz.

15:45 Numri i të vdekurve nga tërmetet në Siri është rritur në 2.802 Të paktën 2.802 njerëz kanë humbur jetën dhe 5.035 janë lënduar në Siri pas një serie tërmetesh të fuqishme në Türkiye, që tronditën rajonin më të gjerë të hënën. Përpjekjet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar që nga 6 shkurti në Idlib, Aleppo, Hama, Latakia dhe Tartus, të cilat u prekën më shumë nga tërmetet.

15:20 Rihapen për trafik rrugët në Türkiye

Të gjitha rrugët kryesore në Türkiye janë rihapur për trafik, njoftuan sot autoritetet, ndërsa vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit në pjesët jugore të vendit që u goditën nga dy tërmete të fuqishme të hënën, raporton Anadolu.

"Nuk ka rrugë të mbyllura për qarkullim", thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Autostradave.

Autoritetet thanë se ekipet e tyre vazhdojnë të punojnë gjatë gjithë kohës në gjithë vendin për të siguruar qarkullim të pandërprerë të trafikut dhe ofrim të ndihmës.

Të paktën 8.574 persona humbën jetën dhe 49.133 të tjerë morën lëndime pas dy tërmeteve të fuqishme që pjesën jugore të Türkiyes.

Si pasojë e tërmetit në Sirinë fqinje, të paktën 2.600 persona humbën jetën, ndërsa 4.645 të tjerë u lënduan.

14:10 Numri i viktimave në Siri arrin në 2600 persona

Numri i të vdekurve në Siri nga tërmetet shkatërruese ka arritur në mbi 2.600 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së regjimit dhe grupit vullnetar të Helmetave të Bardha në zonat e kontrolluara nga rebelët. Ndërkaq, sa u përket personave të lënduar, ky numër deri tani ka arritur në 4.645.

13:15 Turkish Airlines nxjerr sot 30.000 persona të tjerë nga zona e tërmetit

Kompania ajrore Turkish Airlines planifikon evakuimin e 30 mijë personave të tjerë sot nga pjesa jugore e Türkiyes, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin të hënën.

"Vazhdon evakuimi i qytetarëve tanë nga zona e tërmetit - Adana, Gaziantep, Elazig, Sanliurfa, Adiyaman, Diyarbakir, Malatya dhe Kahramanmaraş. Dje transportuam 19.050 persona, ndërsa sot planifikojmë evakuimin e 30 mijë personave të tjerë", shkroi në Twitter Yahya Ustun, zëvendëspresidenti i lartë për marrëdhënie me mediat të Turkish Airlines.

Të paktën 8.574 persona humbën jetën dhe 49.133 të tjerë u plagosën në dy tërmetet e fuqishme që goditën rajonin herët të hënën, sipas shifrave të fundit zyrtare.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz.

Tërmetet u ndjenë edhe në disa vende fqinje të rajonit, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

Të martën u evakuuan 19.050 persona nga provincat Adana, Gaziantep, Elazig, Sanliurfa, Adiyaman, Diyarbakir, Malatya dhe Kahramanmaraş.

12:20 Erdoğan viziton zonat e tërmetit: Do t’i rindërtojmë brenda 1 viti

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, vizitoi sot zonat e prekura nga tërmeti i 6 shkurtit në jug të vendit. Pasi inspektoi operacionet e kërkim-shpëtimit, presidenti turk njoftoi se numri i viktimave ka arritur në 8.574 deri tani, 49.133 kanë marrë lëndime, ndërsa 6.444 ndërtesa janë shkatërruar.

“Kemi mobilizuar të gjitha burimet tona, shteti po kryen punën e tij me bashkitë, veçanërisht AFAD, me të gjitha mjetet e tij", njoftoi Erdoğan.

Presidenti i Türkiyes garantoi se 10 provincat e shkatërruara nga tërmeti do të rindërtohen dhe rimëkëmben nga shteti brenda 1 viti. “Rezidenca të reja do të ndërtohen brenda 1 viti në 10 provincat e prekura nga tërmeti”, tha Erdoğan.

Më shumë nga vizita e presidentit Erdoğan në këtë lidhëze.


9:40 Rritet numri i viktimave nga tërmeti

AFAD njoftoi se nga tërmetet në Kahramanmaraş kanë humbur jetën 7.108 persona dhe janë lënduar 40.910 persona.

09:05 Rritet numri i viktimave, gati 7 mijë në Türkiye dhe mbi 2.500 në Siri

Të paktën 6.957 njerëz humbën jetën dhe mbi 37 mijë të tjerë morën lëndime në Türkiye pas dy tërmeteve të forta të hënën që goditën pjesën jugore të vendit, tha të mërkurën Agjencia e vendit për Fatkeqësitë. Njëkohësisht, si pasojë e tërmetit në Siri, numri i të vdekurve raportohet të jetë të paktën 2.530 viktima.

08:40 Erdoğan niset drejt zonave të tërmetit

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan është nisur të vizitojë zonat e prekura nga tërmeti dhe të inspektojë përpjekjet për kërkim-shpëtim.

08:20 Afërsisht 9.000 viktima nga tërmeti në Türkiye dhe Siri

Të paktën 6.234 njerëz humbën jetën dhe 37.011 të tjerë morën lëndime në Türkiye pas dy tërmeteve të forta të hënën që goditën pjesën jugore të vendit, tha të mërkurën Agjencia e vendit për Fatkeqësitë. Njëkohësisht, si pasojë e tërmetit në Siri, numri i të vdekurve sillet rreth 2.500 viktima.

7 shkurt

E fundit nga nënkryetari i Türkiyes, Oktay: 5.894 njerëz kanë ndërruar jetë nga tërmetet deri tani, ndërsa 34.810 janë të lënduar.

Humb jetën volejbollisti i Kombëtares turke Emincan Kocabas Volejbollisti turk Emincan Kocabas ka humbur jetën në tërmetin që goditi Türkiyen. Klubi Eskisehirspor njoftoi se Kocabas vdiq në Malatya. “Me pikëllim të thellë mësuam se volejbollisti ynë kombëtar Emincan Kocabas nga Eskishehiri vdiq në tërmetin në Malatya”, njoftoi klubi.

Konyaspor do të presë viktimat e tërmetit në stadium Presidenti i klubit Konyaspor, Fatih Özgökçen, deklaroi se i kanë rregulluar shtëpizat e stadiumit në mënyrë të tillë që të mund të strehohen qytetarët e prekur nga tërmeti në Kahramanmaraş, i cili ka prekur 10 provinca. “Kemi përfunduar të gjitha përgatitjet për të pritur qytetarët tanë të prekur nga tërmeti në shtëpizat e stadiumit tonë”, shkroi Fatih Özgökçen.

Ekipet nga Kütahya shpëtuan 4 persona nga rrënojat në Hatay Në Hatay, e cila u godit nga tërmetet në Kahramanmaraş, 4 persona u shpëtuan nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga ekipet e Kutahya. Ekipet e kërkim-shpëtimit të Universitetit Kütahya Dumlupınar, të cilët shkuan në rajon, intensifikuan punën e tyre mbi tingujt që vinin nga rrënojat e një ndërtese në rrethin Antakya Esenlik. Ekuipazhet shpëtuan nënën, babanë dhe një fëmijë rreth 35 orë pas tërmetit të parë. Ekipet e kërkim-shpëtimit të zjarrfikësve të bashkisë Kütahya nxorrën gjithashtu Nurgül Akın nga rrënojat. Familja e mbijetuar dhe Nurgül Akın u transferuan në spitalet në rajon nga ekipet e Urgjencës së Shëndetit.

Ekipet nga Kütahya shpëtuan 4 persona nga rrënojat në Hatay AA

19:43 Binjakët janë shpëtuar nga rrënojat 40 orë pas tërmetit në Gaziantep

Një nënë, baba dhe binjakët 1.5 vjeç janë shpëtuar nga rrënojat e ndërtesës së shembur pas 40 orësh nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë që goditën disa krahina të Türkiyes më 7 shkurt 2023.


Binjakët janë shpëtuar nga rrënojat 40 orë pas tërmetit në Gaziantep AA

Ministri Akar: (Tërmetet me epiqendër në Kahramanmaraş) Gjithsej 7.500 shpëtimtarë vazhdojnë punën e tyre në rajon dhe nga nesër do të bashkohen edhe 1.500 personel të tjerë.

18:05 Të paktën 4.500 të vdekur nga tërmetet në Türkiye

AFAD raportoi se 4.544 persona humbën jetën në tërmetet me epiqendër në Kahramanmaraş, 26.721 persona u lënduan ndërsa numri i ndërtesave të shkatërruara është 5.775.

Ministri i Brendshëm Soylu: "(Në lidhje me tërmetet në Kahramanmaraş) Kemi dërguar deri më tani 18 mijë xhandarmëri dhe afro 10 mijë policë nga e gjithë Türkiye, kemi dhënë urdhër edhe për 10 mijë xhandarë të tjerë.

14:40 Përfundon aksioni i kërkim-shpëtimit në Kilisi Operacioni i kërkim-shpëtimit në Kilis ka përfunduar dhe asnjë banor nuk është nën rrënoja, tha në konferencë për media, ministri i Tregitsë i Turkiyes, Mehmet Mus.

“Ata të cilët kanë ndërruar jetë i kemi varrosur. Ne po punojmë fuqishëm me qytetarët e mbetur për shëndetin e tyre. Kilis me hapa të vegjël po kthehet drejt normalitetit. Shpresojmë me leje të Zotit të mos kemi tragjedi të këtilla”, tha ministri Mus.

13:05 Presidenti Erdoğan shpalli gjendje të jashtëzakonshme 3-mujore

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, shpalli gjendje të jashtëzakonshme 3-mujore në 10 provinca të goditura nga tërmetet masive. Gjatë një konference për media, Presidenti i Türkiyes njoftoi se numri i të vdekurve nga tërmetet e fuqishme të së hënës në Türkiye jugore është rritur në 3.549. Mijëra njerëz janë lënduar, por edhe mijëra të tjerë janë shpëtuar nga njësitet turke të kërkim-shpëtimit. “Më shumë se 8.000 njerëz janë shpëtuar nga rrënojat deri më tani”, tha Presidenti Erdoğan pas tërmeteve të fuqishme të së hënës. Ai njoftoi gjithashtu se 53.317 punonjës kërkim-shpëtimi dhe personel mbështetës aktualisht po punojnë në zonën e tërmetit.

Një nënë siriane lind fëmijën e saj nën rrënoja para se të vdiste


12:01 Tërmeti në Türkiye ka prekur 13.5 milionë njerëz
Ministri i Urbanizmit dhe i Mjedisit i Türkiyes, Murat Kurum, tha se dy tërmetet e djeshme shkatërruese kanë prekur drejtpërdrejt 13.5 milionë banorë të Türkiyes. Ministri Kurum mëngjesin e sotëm ka vizituar qendrën koordinuese të AFAD-it për tërmetet në qytetin Gaziantep, ku ka folur në një konferencë për media. Ai tha se pas tërmetit të vitit 1939 në Erzincan, vendi u përball me tërmetin më të fuqishëm që nga shekulli i kaluar. Kurum tha se "dy tërmetet prekën drejtpërdrejt 13.5 milionë njerëz në 10 qytete". Për sa u përket efekteve dhe pasojave, është fatkeqësia më e madhe në 100 vitet e fundit, shtoi Kurum.

10:58 BE me 27 ekipe shpëtimi në Türkiye

Nën mekanizmin e reagimit të fatkeqësive të Bashkimit Evropian (BE), 27 ekipe shpëtimi me mbi 1.150 personel janë dërguar në Türkiye pas tërmeteve të fuqishme të së hënës, bëri të ditur komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave. "Deri më tani, kemi mobilizuar 27 ekipe kërkim-shpëtimi dhe mjekësore nga 19 vende evropiane nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për të ndihmuar Türkiye-n pas tërmetit", shkroi Janez Lenarçiç në Twitter të martën. Türkiye është gjithashtu anëtare e mekanizmit.


Shtetet anëtare të BE-së Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Malta, Holanda, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja dërguan ekipet e tyre, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Në total, u dërguan 1.150 personel dhe 70 qen shpëtimi të trajnuar, shtoi Lenarçiç.

10:40 Numri i viktimave nga tërmeti në Türkiye rritet në 3.419
Të paktën 3.419 humbën jetën dhe më shumë se 20 mijë të tjerë morën lëndime, në 10 provinca të Türkiyes, pas dy tërmeteve të forta të hënën që goditën pjesën jugore të vendit, deklaroi në konferencën e fundit për shtyp nënpresidenti Fuat Oktay.

10:29 Nëna dhe foshnja mbijetojnë 29 orë nën rrënoja Hulya Yilmaz dhe foshnja e saj gjashtëmuajshe Ayse Vera u shpëtuan 29 orë pasi ishin bllokuar nën një ndërtesë të shembur në Hatay.

Nëna dhe foshnja mbijetojnë 29 orë nën rrënoja. TRT World

10:23 Studenti në Malataya, shpëtoi falë rrjeteve sociale

Një student 20-vjeçar i mbijetoi tërmetit në jug të Türkiye-s, falë një postimi
në rrjetet sociale që ai dërgoi teksa ishte ngujuar nën rrënojat e një ndërtese.

Boran Kubat mbeti nën rrënoja në Malatya me nënën, gjyshen
dhe dy dajtë e tij kur rajoni u lëkund nga tërmeti i dytë.

Boran Kubat mbeti nën rrënoja në Malatya me nënën, gjyshen dhe dy dajtë e tij kur rajoni u lëkund nga tërmeti i dytë. AA

"Nuk e kishim menduar se do të ndodhte një tërmet kaq i
fuqishëm pas të parit. Shkuam në shtëpi dhe ram të flemë kur ndodhi tërmeti.
Papritur gjithçka u errësua ndërsa nëna ime u rrëzua pranë meje", tregon i
riu për Anadolu Agency.

10:07 Siri, vazhdojnë aksionet për gjetjen e të mbijetuarve

Ka arritur në 1.602 numri i qytetarëve të cilët kanë humbur jetën në tërmetin që përfshiu Sirinë. Si pasojë e këtij tërmeti, informacionet e fundit flasin se 3.649 janë lënduar në rajone të ndryshme të Sirisë. Punimet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në qytetet Idlib, Halep, Hama, Latakia dhe Tartus.

08:55 Tërmeti në Siri, mbi 1.550 viktima Numri i viktimave nga tërmeti në Siri rritet në 1.559 deri tani. Mbi 2.400 të tjerë janë lënduar nga tërmeti i mëngjesit të 6 shkurtit me epiqendër në Türkiye.

08:28 Numri i viktimave nga tërmeti në Türkiye shkon përtej 3.000

Të paktën 3.381 njerëz humbën jetën dhe mbi 20 mijë të tjerë janë lënduar në 10 provinca të Türkiyes pas dy tërmeteve të forta të hënën që goditën pjesën jugore të vendit, thonë të dhënat e fundit të Agjencisë Turke për Emergjenca.

6 shkurt

21:50 Të paktën 1.356 viktima në Siri nga tërmetet

Në tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, epiqendra e të cilit ishte Kahramanmaraş, në rajone të ndryshme të Sirisë humbën jetën të paktën 1.356 persona dhe u lënduan mbi 3.419 persona.

21:40 Të paktën 2.300 persona humbin jetën nga tërmetet në Türkiye

AFAD raportoi se numri i njerëzve që humbën jetën në tërmetet me epiqendër Kahramanmaraş ishte 2.316, ndërsa 7.340 njerëz u shpëtuan nga rrënojat.

"Për shkak të tërmeteve të ndodhura në vendin tonë më 6 shkurt 2023, është shpallur zi kombëtare për një periudhë shtatëditore. Flamuri ynë do të ngrihet në gjysmështizë deri në perëndim të diellit të dielën, 12 shkurt 2023, në të gjitha përfaqësitë e vendit tonë dhe të huaja" tha Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.

18:33 Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Türkiye

Të paktën 1.651 persona kanë humbur jetën dhe 11.119 janë lënduar nga tërmetet në Türkiye, ka konfirmuar ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca.

18:13 Siri, afro 1 mijë persona kanë humbur jetën nga tërmeti

Të paktën 968 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 2.400 janë lënduar në Siri pas një serie tërmetesh të fuqishme në Türkiyen juglindore që tronditën rajonin më të gjerë herët të hënën.

17:53 Siri, të paktën 810 persona të vdekur dhe mijëra të plagosur nga tërmeti

Të paktën 810 persona kanë humbur jetën dhe mbi 2.315 të tjerë janë lënduar në rajone të ndryshme të Sirisë si pasojë e tërmeteve me epiqendër në qytetin Kahramanmaraş të Türkiyes.

17:15 Mbi 1.500 të vdekur nga tërmetet në Türkiye

Të paktën 1.541 persona humbën jetën dhe 9.733 morën lëndime nga tërmetet në Türkiye, konfirmoi zëvendëspresidenti i Türkiyes, Fuat Oktay.

15:30 Numri i viktimave shkon në 1.498

AFAD: Numri i të vdekurve nga tërmetet në Türkiye rritet në 1.498, numri i të lënduarve në 8.533

15:05 Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Türkiye

AFAD njoftoi se 1.121 persona humbën jetën, 7.634 qytetarë u lënduan dhe 2.834 ndërtesa u shkatërruan nga tërmetet me epiqendër në zonën e Kahramanmaras, në Türkiye.

13: 35 Fillon grumbullimi i ndihmave dhe aksioni për dhurimin e gjakut
Në gjithë Türkiyen po mblidhet ndihma për të prekurit nga tërmeti, njerëzit presin në radhë për të dhuruar gjak. Pas dy tërmeteve shkatërruese që goditën sot jugun e Türkiyes, në mbarë vendin ka filluar grumbullimi i ndihmave për banorët e rajoneve të prekura nga tërmeti, si dhe aksionet e dhurimit të gjakut për të lënduarit. Në qytetet anembanë Türkiyes, organizatat humanitare dhe shoqatat e qytetarëve kanë nisur aksionet për mbledhjen e ndihmave për banorët e Kahramanmaras dhe qyteteve përreth që u goditën më rëndë nga tërmete

Fillon grumbullimi i ndihmave dhe aksioni për dhurimin e gjakut. AA

Në Erzurum, Kutayi, Agriju, Kirsehiru, Vanu, si dhe në shumë qytete të tjera, janë vënë re radhë të gjata përpara qendrave të dhurimit vullnetarë të dhënies së gjakut, të Gjysmëhënës së Kuqe.

13:30 Dy studentë nga Maqedonia e Veriut të lënduar nga tërmeti në Türkiye

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se dy studentë janë lënduar në tërmetin që goditi Türkiyen në orët e para të mëngjesit. Studentët e lënduar janë pjesë e një grupi studentësh që po qëndron në Türkiye në kuadër të programit “Erasmus Plus”.

“Përfaqësitë tona pasi u informuan, kontaktuan nëntë nga qytetarët tanë që ndodhen në rajonin e goditur nga tërmeti. Bëhet fjalë për tetë studentë dhe një mentor/mësues të tyre, të cilët po qëndrojnë në Republikën e Türkiyes në kuadër të programit “Erasmus Plus”. Si pasojë e tërmetit, dy nga nxënësit kanë pësuar lëndime fizike: një student ka lëndime më të rënda – frakturë që aktualisht është në kujdes nga personeli mjekësor, duke u rikuperuar – ndërsa nxënësi i dytë ka lëndime të lehta. Asnjë nga studentët dhe mentori nuk janë në rrezik”, thotë Ministria e Jashtme.

Deri më tani nuk ka asnjë informacion për shtetas të tjerë tanë që janë në rrezik ose që kanë nevojë për ndihmë.

Ministria e Jashtme njofton se pas instruksionit të MPJ-së, tashmë në rajon është dërguar një diplomat nga Ambasada në Ankara për të ndihmuar në evakuimin e studentëve nga qyteti Kahraman Marash, si dhe për të siguruar informacione direkt nga terreni, në zonat më të goditura. Ata gjithashtu kanë publikuar numrat ku mund të kërkohet ndihmë 24 orë në ditë: +905394569710 në Ankara, +905456149777 në Istanbul dhe SOS telefon i MPJ-së në Shkup, +38975273732.

12:32 Dëmtohet seriozisht infrastruktura energjetike në Kahramanmaraş

Tërmeti që goditi Türkiyen në orët e hershme të së hënës, shkaktoi dëme serioze në infrastrukturën energjetike në qytetin turk Kahramanmaraş, tha ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez.

Tërmeti me magnitudë 7.7 ballë ndodhi në qarkun Pazarcık në qytetin Kahramanmaraş dhe ka prekur gjithashtu disa qytete fqinje. Numri i jetëve të humbura në Türkiye deri më tani ka arritur në 284 dhe 2.323 janë të plagosur.

Dëme janë shkaktuar në linjat e transmetimit të energjisë elektrike si dhe në linjat e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, tha ministri Dönmez.

Dönmez konfirmoi se dëmtimi i linjës kryesore të transmetimit të gazit natyror në qarkun Turkoglu të Kahramanmaraşit afër epiqendrës, ishte një nga infrastrukturat më të dëmtuara.

"Kjo është linja jonë kryesore e transmetimit që transporton gazin natyror në Gaziantep, Hatay dhe Kilis, veçanërisht në Kahramanmaraş. Mund të ketë ndërprerje në këto provinca", tha ai.

Ekipet po punojnë për riparimin e linjave të dëmtuara, tha ai, duke shtuar se rreth 30 nënstacione që i përkasin Transmetimit të Energjisë Elektrike të Türkiye-s (TEIAS) pësuan dëmtime në shkallë të ndryshme.

"Kemi dërguar termocentrale mobile në rajon. Veçanërisht, do të përpiqemi të furnizojmë me gaz natyror dhe energji objektet si spitale, kuzhinat dhe furrat e bukës, si me metodën e transportit të gazit natyror të kompresuar (CNG) ashtu edhe me gjeneratorë mobil", tha Dönmez.

11:51 Sërish tërmet në rajonin Kahramanmaraş

AFAD njoftoi se një tërmet me magnitudë 7.6 ka ndodhur në orën 13.24, epiqendra e të cilit ka qenë rrethi Elbistan i Kahramanmaraş.

11:45 Forcat e Armatosura të Türkiye-s kanë hapur një korridor ajror për ndihmë

Forcat e Armatosura të Türkiye-s kanë hapur një korridor ajror për të transferuar ekipet e kërkim-shpëtimit në rajonet e goditura nga tërmeti në jug të vendit, raporton Anadolu.

Ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar në komandën e bazës së 11-të të trafikut ajror po monitoron aktivitetet e ndërmarra pas tërmetit.

"Kemi mobilizuar avionët tanë për të dërguar ekipe mjekësore, ekipe kërkimi dhe shpëtimi dhe automjete në rajonet e prekura nga tërmeti. Kemi maksimizuar gatishmërinë e avionëve tanë për të ofruar transportin e nevojshëm", tha Akar.

Një numër i madh avionësh transporti, përfshirë avionët transportues TAF A400m, transportojnë ekipe kërkim-shpëtimi dhe automjete në rajon. Në korridorin e ndihmës ajrore marrin pjesë edhe avionët e ambulancës.

Akar deklaroi se edhe në radhët e ushtarëve ka viktima nga tërmeti. "Forcat e armatosura vazhdojnë të përcaktojnë dëmet dhe viktimat në radhët e tyre. Fatkeqësisht kemi tre dëshmorë dhe të lënduar", tha ai.

Kujtojmë se të paktën 284 persona humbën jetën dhe 2.323 janë plagosur në dhjetë provinca nga tërmeti i fuqishëm që goditi pjesët jugore të Türkiye-s të hënën në mëngjes.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar mbi tërmetin shkatërrues në Türkiye dhe Siri, duke theksuar se një mision shpëtimi solidariteti do të niset për në Türkiye.

Në rrjetin social Twitter, kryeministri Rama shkruan se është i pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Türkiyes dhe Sirisë.

"Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Türkiye", shkruan Rama.

Ndërkohë, sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, nuk ka informacion për shqiptarë të lënduar ose që mund të kenë humbur jetën.

"Bazuar në komunikimin me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Türkiye (që prej orëve të para të mëngjesit e deri tani) nuk ka informacion për shqiptarë të lënduar ose që mund të kenë humbur jetën", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas autoriteteve turke, të paktën 284 persona humbën jetën dhe 2.323 të tjerë u lënduan si pasojë e tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.4 ballë sipas shkallës së Rihterit që goditi rajonet jugore të Türkiyes herët në mëngjes.

Tërmeti ka shkaktuar qindra viktima dhe të lënduar edhe në Siri.

TRT Balkan / agjencitë