Me rastin e 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Türkiyes, dy vendet kanë publikuar një deklaratë të përbashkët.
Në deklaratën e publikuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë njoftohet se gjatë gjithë vitit 2023, ky përvjetor i rëndësishëm është festuar me konferenca, ekspozita dhe koncerte të organizuara në Ankara dhe Tiranë.
"Marrëdhëniet Shqipëri-Türkiye e marrin fuqinë e tyre nga historia e përbashkët dhe lidhjet e forta sociale dhe kulturore. Bazuar në këtë sfond të rrënjosur thellë, marrëdhëniet dypalëshe u ngritën në Partneritet Strategjik me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët Politike për Krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri Edi Rama, më 6 janar 2021, në Ankara", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, theksohet se solidariteti shembullor i treguar nga populli turk dhe ai shqiptar pas tërmeteve shkatërruese që morën shumë jetë në të dyja vendet është një pikë nderi.
"Si dy aleatë në NATO dhe vende kandidate për në BE, Shqipëria dhe Türkiye janë kontribuues neto për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Bashkëpunimi i ngushtë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare do të vazhdojë. Duke ndarë një vizion të përbashkët për një të ardhme të begatë në rajonin tonë, Shqipëria dhe Türkiye janë të vendosura të konsolidojnë dhe thellojnë më tej Partneritetin e tyre Strategjik në të gjitha fushat në nivel dypalësh, rajonal dhe global", theksohet në deklaratë.
Kujtojmë se më 15 dhjetor të vitit 1923 u nënshkrua Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Türkiyes, i cili shënon edhe aktin formal të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.