Presidenti i Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar nji bisedë telefonike me Papa Françeskun, udhëheqësin shpirtëror të krishterëve katolikë dhe presidentin e Vatikanit.
Gjatë telefonatës, presidenti turk Erdoğan deklaroi se demonstratat imorale të ekspozuara në një pjesë të hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit shkaktuan zemërim dhe reagime.
Presidenti Erdoğan u shpreh se nën maskën e lirisë së shprehjes dhe tolerancës po shkelet dinjiteti njerëzor, po tallet me vlerat fetare dhe morale dhe se kjo i ofendon muslimanët po aq sa edhe botën e krishterë.
Erdoğan i tha Papa Françeskut se është e nevojshme të ngrihet zëri së bashku dhe për të mbajtur një qëndrim të përbashkët kundër tyre.
Presidenti Erdoğan deklaroi gjithashtu se sfida ndaj vlerave fetare, bërja e propagandës së çoroditur dhe kolapsi moral në të cilin po kalon bota në Lojërat Olimpike, të cilat mbahen për të bashkuar njerëzit, janë kambana alarmi.
Më tej, në diskutim e sipër, presidenti turk deklaroi se sulmet izraelite në Gaza janë kthyer në gjenocid, se ka një krizë të rëndë humanitare dhe se Izraeli i kryen masakrat e tij nën ombrellën diplomatike, ekonomike dhe ushtarake që i kanë ofruar disa shtete.
Presidenti Erdoğan u shpreh se vrasja e kryetarit të Byrosë Politike të Hamasit Ismail Haniyeh dhe sulmi në Liban treguan edhe një herë se Izraeli është një kërcënim për të gjithë rajonin, botën dhe njerëzimin.
Erdoğan deklaroi se është tepër vonë për muslimanët dhe të krishterët që jetojnë në Palestinë të gjejnë paqen dhe se duhet të veprohet si një aleancë e njerëzimit pa asnjë vonesë.
Ndërkaq, Erdoğan tha se beson se bisedimet e Papa Françeskut me vendet që mbështesin Izraelin do të jenë të dobishme për të ndalur sulmet dhe për të siguruar paqen e përhershme, pa shkaktuar dëme të përhershme në strukturën politike, të sigurisë dhe sociale të botës, përfshirë rajonin.
Gjatë takimit, Papa Françesku falënderoi Presidentin Erdoğan për përpjekjet e tij për paqen dhe ndjeshmërinë ndaj degradimit të vlerave fetare.