Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, tha se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Pas takimit me homologen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, të dy kryediplomatët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Duke folur për vizitën e tij në vend, Fidan tha se "kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por edhe vëllezërit tanë".
Kryediplomati turk gjithashtu foli edhe rreth mbështetjes që Türkiye i jep Kosovës. "Ne e kemi mbështetur gjithmonë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë ta mbështesim", tha Fidan.
Sipas tij, tensionet mes Kosoves e Serbisë mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut, të cilin Türkiye vazhdon ta mbështesë.
“Nëse kërkohet, ne do të marrim me kënaqësi një përgjegjësi në këtë proces”, theksoi Fidan. Ministri turk pritet të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.
Ai përveç takimeve me zyrtarë të tjerë do të vizitojë edhe qytetet Prizren dhe Mamushë, si dhe selinë e KFOR-it, ku Türkiye nga tetori i vitit 2023 mban kryesimin.
Në Prishtinë, ministri Fidan udhëtoi pas vizitës së tij të djeshme në Maqedoninë e Veriut.