Ka nisur votimi për "Fotografitë e Vitit" me foto të shkrepura nga fotoreporterët e Anadolus nga ngjarjet që shënuan vitin 2024.
Në garën që do të organizohet nën sponsorizimin e ROKETSAN dhe Sony, do të bëhet përzgjedhje midis 149 fotografive më mbresëlënëse të fotoreporterëve dhe reporterëve të Anadolus në tema të ndryshme nga Türkiye dhe bota, e që përdoren shpesh në media të shquara ndërkombëtare.
Në "Fotografitë e vitit" tashmë tradicionale ku votojnë qindra mijëra njerëz, është shtuar edhe një kategori enkas për këtë vit, me temën "Siria e Lirë".
Në kategorinë për atë që ndodhi në Siri pas përmbysjes së regjimit 61-vjeçar të partisë Baath dhe përfundimit të epokës së familjes së Asadit ndodhen 21 fotografi.
Në kategoritë kryesore "Natyra dhe Mjedisi" ndodhen 24 fotografi, në kategorinë "Jeta e përditshme" 26 fotografi, në kategorinë "Lajm" 41 fotografi dhe në kategorinë "Sport" 28 fotografi.
Fotografitë u përzgjodhën nga editorët e fotografive të Anadolu-s nga më shumë se 1 milion foto të publikuara nga katër anët e botës ndërsa mund të shihen me titra turqisht dhe anglisht.
Pjesëmarrësit do të mund të votojnë për aq foto sa duan.
E zhvilluar për herë të parë në vitin 2012, në votimin për "Fotografitë e Vitit" çdo vit votojnë figura të larta politike, përfshirë presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, burokratë, sportistë, artistë dhe qindra mijëra njerëz.
Votimi për "Fotografitë e Vitit", ku vitin e kaluar morën pjesë 869.591 persona, do të vazhdojë deri më 31 janar 2025, në faqen e internetit "yilinkareleri.aa.com.tr".