Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, u takua në Londër me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për të diskutuar çështje të ndryshme, duke përfshirë anëtarësimin e Suedisë në NATO, bashkëpunimin në mbrojtje, si dhe lidhjet dypalëshe. Bisedimet u zhvilluan në qendër të Londrës, ku dy homologët kishin mbërritur për Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës. "Sot, ne jemi këtu në Londër për të demonstruar mbështetjen tonë për Ukrainën", ministri Fidan u tha gazetarëve para takimit. Megjithëse të dyja vendet mund të mos kenë pikëpamje të njëjtë për çdo çështje, Fidan theksoi se aleanca e tyre e gjatë brenda NATO-s dhe platformave të tjera i detyron ata të vazhdojnë të punojnë së bashku. Duke kujtuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti amerikan Joe Biden krijuan mekanizmat strategjikë Türkiye-ShBA vitin e kaluar në kryeqytetin spanjoll Madrid, Fidan tha se qëllimi i mekanizmit është të adresojë çështjet e pazgjidhura dhe të eksplorojë mundësitë për bashkëpunim më të thellë. Nga ana e tij, Blinken tha se është kënaqësi të takohet me "kolegun e shumë viteve", duke iu referuar Hakan Fidanit, ministrit të ri të jashtëm të Türkiyes. Ai vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe, duke thënë: "Ka shumë gjëra që ShBA dhe Türkiye po bëjnë së bashku për çështjet më thelbësore, jetike". Blinken nënvizoi se gjatë takimit në rendin e ditës do të jenë samiti i ardhshëm i NATO-s, pranimi i Suedisë në aleancë dhe bashkëpunimi i mbrojtjes ndërmjet ShBA-së dhe Türkiyes, si dhe lidhjet dypalëshe. Ai gjithashtu u shpreh se do të diskutohen disa çështje tjera, duke përfshirë energjinë dhe bashkëpunimin ekonomik, duke theksuar: "Marrëdhëniet midis vendeve tona janë të thella dhe të pasura". Dy ministrat mbërritën në hotelin InterContinental Londër, ku po marrin pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës.
21 Qer 2023
Kryediplomati turk Fidan takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Blinken
Bisedimet u zhvilluan në qendër të Londrës, ku dy homologët kishin mbërritur për Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.