Hapet në Londër ekspozita e tretë e Istanbul Photo Awards 2023, një konkurs ndërkombëtar i fotografisë së lajmeve.
Në hapjen e aktivitetit të martën, ambasadori turk në Londër, Osman Koray Ertas, i përkufizoi fotot si imazhe të fuqishme që po ndikojnë "gjithë jetën tonë të përditshme dhe globalisht gjithashtu".
Ertas tha se “Në mjedise të tilla, ne jemi krenarë si komb që kemi një agjenci lajmesh të fuqishme, të respektueshme dhe të vërtetë, jo vetëm për vendin dhe popullin tonë, por në nivel global që shërben për të shpalosur të vërtetën”.
Duke folur për situatën në Gaza, ai tha se një pjesë e botës mbylli sytë ndaj asaj që po ndodh, duke shtuar: “Ne i jemi mirënjohës Anadolu Agency që ka një pasqyrim të gjerë të gjendjes së vështirë të palestinezëve në duart e izraelitëve"
Gjithashtu, gjatë deklaratës ai përcolli ngushëllimet e tij për vdekjen e Montaser Al-Sawaf, kameramanit të Anadolu Agency, i cili u vra në sulmet ajrore izraelite të premten.
Fytyra e përgjakshme e luftës në Palestinë' e përcjellë nga fotografitë
"Ne përdorim fuqinë e fotografisë për të shpërblyer dhe inkurajuar fotoreporterët që punojnë shumë për të praktikuar punën e tyre në një sërë rrethanash të vështira", u shpreh Presidenti dhe shefi ekzekutiv i Agjencisë Anadolu Serdar Karagoz.
“Fotografitë e vlerësuara përfshijnë një gamë të gjerë temash nga tragjedia në Palestinë, zhvillimet në Nigeri, te ndryshimet mjedisore që lidhen me burimet e litiumit, përpjekjet për ruajtjen e kafshëve të egra natyrore në Tajlandë, Kupën e Botës në Katar, ndeshjet me dema në Portugali, akullthyesit në Oqeani Arktik dhe albinos në kontinentin afrikan”, shtoi ai.
Karagoz theksoi gjithashtu se në ekspozitë janë përfshirë edhe fotografitë fituese më parë të cilat tregojnë "fytyrën e përgjakshme të luftës në Palestinë".
Ai u zotua qe do të vazhdojë të dokumentojë dhe të ndajë çdo akt të mbrapshtë që shpërfill ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut.
“Drejtësia ndërkombëtare do të mbizotërojë herët a vonë dhe kur ata që vrasin foshnjat, fëmijët dhe civilët të çohen në gjykatë, këto fotografi do të jenë prova më domethënëse”, nënvizoi ai.
Regjistrimi i momenteve të tilla e zgjeron ndikimin e tyre mijëra herë
Drejtor i Institutit Yunus Emre në Londër, Mehmet Karakus tha se ata ndihen "shumë të privilegjuar teksa presin një ekspozitë kaq prestigjioze" në qendrën e tyre.
Duke kujtuar një fjalë të urtë popullore, "fjalët (të folura) fluturojnë larg, ato të shkruarat mbeten", ai tha se kjo nuk është thjesht një kujtesë personale e fuqisë së fjalëve, por një tregues i rëndësisë së regjistrimit të "çfarë po ndodh rreth nesh".
Bazuar në fotot e përzgjedhura në ekspozitë, Karakus tha se regjistrimi i momenteve të tilla e zgjeron ndikimin e tyre "mijërafish, duke krijuar potencialin për frymëzim, ndryshim dhe përparim".
Në një intervistë për Anadolu Agency, fotografi Alex Broadway, i cili fitoi Çmimin e Tretë në kategorinë Single Sports në konkursin e këtij viti, tha se është një "konkurrencë prestigjioze" dhe "e madhe".
Në edicionin e këtij viti, çmimet u shpërndanë në 10 kategori pasi juria bëri përzgjedhjen e saj midis 21.000 fotografive konkuruese.