KFOR-i Turk, i cili erdhi në Kosovë më 4 korrik 1999, për të shërbyer në Misionin Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), ka mbushur 25 vjet që kontribuon në sigurinë dhe zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.
Ushtarët turq janë krah i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, pa dallim feje, gjuhe apo etnie, me aktivitetet që ata kryejnë në shumë fusha si në shëndetësi, arsim, kulturë, art dhe infrastrukturë.
Procesi i transferimit të KFOR-it Turk në Kosovë
NATO-ja nisi një operacion tokësor në Kosovë më 12 qershor 1999, pas një operacioni ajror 78-ditor, pasi Republika Federale e Jugosllavisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit nuk i dha fund shtypjes dhe masakrave të saj kundër shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në Kosovë.
Përafërsisht 50 mijë ushtarë nga vende të ndryshme shërbyen në kuadër të KFOR-it në operacionin që siguroi tërheqjen e plotë të trupave serbe nga Kosova.
Task Forca e Batalionit Turk, e formuar në kuadër të Komandës së Brigadës së 28-të të Mekanizuar të Këmbësorisë për të kontribuar në KFOR, filloi përgatitjet për vendosjen në Kosovë në qershor 1999.
KFOR-i Turk filloi të lëvizte nga Ankaraja në Kosovë me rrugë tokësore, detare, ajrore dhe hekurudhore nga 1 korriku 1999.
Trupat që udhëtuan me transport rrugor, arritën në qytetin e Prizrenit më 4 korrik 1999.
Qytetarët e Prizrenit i pritën ushtarët turq që erdhën në vendin e tyre në një atmosferë festive dhe si "Forcat e Paqes", rreth 90 vjet pas largimit të osmanëve nga rajoni.
Ushtarët turq ishin vendosur në kazermën "Sulltan Murati" në Prizren, ku vazhdojnë të qëndrojnë edhe aktualisht.
"Nuk e di nëse një entuziazëm i tillë do të ndodhë përsëri" Deputetja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fidan Brina Jılta tha për Anadolu se të gjithë në qytet informuan njëri-tjetrin dhe u mblodhën në sheshin "Shatërvan" të Prizrenit për të mirëpritur ushtarët turq. Ajo tha se kurrë më parë në jetën e saj nuk kishte parë një turmë me aq entuziazëm.
"Ushtarët turq u pritën me aq shumë entuziazëm kur arritën, saqë shtypi serb pyeti: 'Ku ishin fshehur të gjithë këta flamuj (turq) gjatë luftës?'. Kjo u bë kryefjala", tha ajo. Brina Jılta foli edhe për kujtimet e saj familjare nga mbërritja e ushtarëve turq.
"Gjyshja ime në atë kohë ishte 86 vjeçe dhe kur dëgjoi se ushtarët turq po hynin në Prizren, tha: 'Më fut në veturë, do t'i takoj ushtarët turq'. Gjyshja ime ishte e verbër për 25 vjet. Vetëm kështu mund ta përshkruaj emocionin e saj. Një grua e verbër po mendonte të ngjitej në 'Shatërvan' dhe të përshëndeste ushtarët turq në atë shesh. Nuk e di nëse një emocion i tillë do të ndodhë ndonjëherë. Është shumë e rëndësishme jo vetëm për shoqërinë turke, por edhe për Kosovën në përgjithësi", shtoi ajo.
Duke thënë se në atë kohë punonte si mësuese, Brina Jılta theksoi se në çdo vështirësi që hasnin iu drejtoheshin ushtarëve turq dhe se ata i dolën në ndihmë popullit të Kosovës në të gjitha çështjet. - "Turma njerëzish u mblodhën në këtë shesh ku jemi ne" Nafis Lokvica, i cili dokumentoi hyrjen e ushtarëve turq në Kosovë me fotografitë dhe pamjet që ai bëri, tha se ushtarët turq i zgjatën dorën e ndihmës të gjithëve pa diskriminim gjatë viteve që kanë shërbyer në vend.
"Turma njerëzish u mblodhën në këtë shesh ku jemi ne. Shumë fëmijë, turq, shqiptarë, boshnjakë, hipën në tanket e ushtarëve turq duke mbajtur flamuj turq. U kënduan këngë të shoqëruara me curle dhe tupana. Ndodhi një entuziazëm i jashtëzakonshëm”, theksoi ai.
Duke thënë se ende nuk mund ta kuptojë se kishte dëgjuar publiku për ardhjen e ushtarëve turq në atë kohë kur linjat elektrike dhe telefonike nuk punonin, Lokvica tha: "Atë ditë as nuk e harroj, as nuk dua ta harroj, as nuk mund ta harroj".
Në përputhje me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin, KFOR-i, i cili filloi detyrën e tij në Kosovë më 12 qershor 1999, ka më shumë se 4.500 ushtarë ndërkombëtarë nga 28 vende, përfshirë 23 anëtarë të NATO-s dhe 5 vende partnere të NATO-s.
Türkiye mori komandën e KFOR-it për herë të parë më 10 tetor 2023, për mandat njëvjeçar.