Pilotet e Rojës Bregdetare Turke, gjithmonë të gatshme për shpëtim / Foto: AA

Pilotet femra të helikopterit në njësinë ajrore të Komandës së Rojës Bregdetare të Republikës së Türkiyes fluturojnë çdo ditë mes dy bluve, detit dhe qiellit, kujdesen për sigurinë dhe shpëtojnë jetë në fatkeqësi natyrore dhe situata emergjente.

Mes 53 pilotëve të Rojës Bregdetare në provincat turke të rajonit të Egjeut janë edhe shtatë pilote femra që kryejnë me krenari detyrat e tyre.

Dita e tyre e punës fillon me vendosjen dhe veshjen e një uniforme, helmete dhe jeleku që përmban gjërat thelbësore të nevojshme për çdo operacion kërkimi dhe shpëtimi, duke përfshirë një armë zjarri, bojë kundër peshkaqenëve, dritë vezulluese, një rezervuar oksigjeni dhe një radio.

Pas kontrolleve përfundimtare, pilotet femra shkojnë në patrullë dhe janë gjithmonë të gatshme për misione shpëtimi në rast fatkeqësie apo emergjence. Ata gjithashtu shkëlqyen në veprimet pas tërmeteve, përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera në gjithë Türkiyen.

Togerja Yuksel Gamze Kocak është krenare për thirrjen e saj si pilote.

“Si të gjithë pilotët, ne i marrim me gjithë zemër detyrat që na janë caktuar. Ne e dimë që gjinia jonë nuk na kufizon dhe ne japim shembull për mjedisin tonë në këtë drejtim. Ne mbajmë nën vëzhgim detet tona dhe kur është e nevojshme, marrim pjesë në aktivitetet e kërkim-shpëtimit në fatkeqësitë natyrore dhe shpëtojmë jetë njerëzish në ato aksione dhe shpëtimi i jetës së dikujt është një ndjenjë e veçantë”, tha Kocak.

Togerja e dytë Sinem Derya Gokce është gjithashtu krenare për pilotimin e saj, i cili i solli asaj një sërë veprimesh dhe momentesh të paharrueshme, veçanërisht gjatë misioneve pas tërmeteve të vitit të kaluar në Hatay dhe qytete të tjera jugore të Türkiyes.

“Kemi kaluar shumë ngjarje, por ajo që mbaj mend më shumë është evakuimi mjekësor i një gruaje shtatzënë nga Hatay në Adan. Lindja e saj filloi gjatë fluturimit. Shpejt shkuam në spital dhe ajo solli në jetë një djalë të shëndetshëm. Isha krenare në ato momente dhe e lumtur që isha në këtë profesion. Shpresoj që një fatkeqësi e tillë të mos ndodhë më kurrë”, tha Gokçe.

Togerja Bircan Erkan mori pjesë në misione gjatë përmbytjeve të ndodhura në rajonet bregdetare të Detit të Zi në vitin 2021 dhe ishte misioni i saj i parë profesional.

“Ishte një mision kërkues. Në ditën e parë të fatkeqësisë, evakuuam 64 qytetarë tanë të bllokuar në çatitë e shtëpive. Morëm pjesë në misione të gjata kërkimi për qytetarët e zhdukur. E kuptova rëndësinë e këtij profesioni”, tha Erkin.

Togerja Beyza Birol Serin shërben si pilote e dytë në komandë dhe pasioni i saj për aviacionin daton që në fëmijëri.

“Gratë tona kanë bërë shumë sakrifica dhe kanë qenë heroina gjatë historisë. Ne vazhdojmë të ecim në këtë rrugë dhe jemi gjithnjë e më shumë në të gjitha punët dhe detyrat”, tha Serin.

TRT Balkan / agjencitë