Türkiye dënon sulmet izraelite ndaj shkollave ku ndodhen të zhvendosurit në Rripin jugor të Gazës, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Türkiyes.
“Varret masive në Khan Younis dhe sulmet ndaj shkollave në katër ditët e fundit janë prova konkrete e synimit të Izraelit për të shfarosur plotësisht popullin palestinez”, thonë nga ministria.
Nga atje shtojnë se sulmet treguan gjithashtu se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dëshiron të minojë negociatat e armëpushimit në Rripin e Gazës.
“Zyrtarët izraelitë do të mbahen përgjegjës për veprimet që shpërfillin të gjitha vlerat e njerëzimit dhe ligjit ndërkombëtar”, tha ministria.
Disa njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën në një sulm izraelit në një shkollë në Khan Yunis të martën, thanë mjekët.
Javën e kaluar, ushtria izraelite lëshoi urdhra për evakuimin e banorëve palestinezë të disa zonave në Khan Younis lindore.
Që nga shpërthimi i konfliktit në Gaza, ushtria izraelite ka goditur disa qendra palestineze për personat e zhvendosur në të gjithë Rripin e Gazës, duke vrarë dhjetëra palestinezë.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të sulmeve brutale të vazhdueshme në Rripin e Gazës, nisur pas një sulmi nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, më shumë se 38.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë.