Pamjet që dolën nga spitali më i madh i Gazës pas një inkursioni 14-ditor izraelit janë dëshmi e fortë se Tel Avivi kërkon të zhdukë palestinezët, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Türkiyes.
Në një deklaratë të dhënë nga ministira të hënën mbi veprimet e ushtrisë izraelite në spitalin al-Shifa u tha se krimet e kryera nga autoritetet izraelite në gjashtë muajt e fundit kanë zënë vendin e tyre ndër barbaritë më të mëdha në historinë njerëzore.
“Të gjithë përgjegjësit për këto krime do të sillen para drejtësisë dhe emrat e atyre që mbyllin sytë ndaj këtyre krimeve do të jenë regjistruar si një pikë e zezë në histori”, u theksua më tej.
Më tej, u kërkua që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë veprime për të ndalur veprimet e Izraelit, që sipas ministrisë turke shpërfillin ndërgjegjen dhe ligjin njerëzor dhe përbëjnë një kërcënim për paqen dhe stabilitetin global.
"Masat e nevojshme duhet të merren pa vonesë për të zbatuar rezolutën më të fundit të armëpushimit të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe masat shtesë të shpallura nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë," shtoi ministria.
Ushtria izraelite tha të hënën se përfundoi operacionin e saj ushtarak në kompleksin e spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, pas një rrethimi dhe inkursioni 14-ditor që rezultoi në shumë viktima dhe qindra të arrestuar.
Më herët, dëshmitarët okularë raportuan se ushtria u tërhoq nga brenda spitalit al-Shifa dhe zonat përreth në perëndim të qytetit të Gazës, duke lënë shumë viktima dhe shkatërrime të shumta në spital dhe në afërsi të tij.
Sipas dëshmitarëve, forcat izraelite dogjën gjithashtu ndërtesat e reparteve të veshkave dhe maternitetit, frigoriferë mortorë dhe objektet e kancerit dhe djegieve, si dhe shkatërruan ndërtesën e klinikës ambulatore.
Bazuar në burimet mjekësore palestineze, spitali tani është plotësisht jashtë shërbimit dhe ushtria ka shkatërruar të gjitha pajisjet mjekësore në kompleksin, dhomat e operacionit dhe njësitë e kujdesit intensiv.