Urime nga Kosova e Shqipëria për 29 Tetorin, Ditën e Republikës së Türkiyes / Photo: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dërgoi një urim me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës, dhe 101-vjetorit të shpalljes së Republikës së Türkiyes.

"I nderuari president Recep Tayyip Erdoğan, shpresoj që fryma e unitetit dhe solidaritetit të mbizotërojë në gjithë vendin tuaj në këtë ditë të rëndësishme kur populli turk feston Ditën e Republikës," tha Osmani në një mesazh të publikuar në gjuhën turke në profilin e saj zyrtar në X dhe shtoi:

"Populli i Kosovës falënderon sinqerisht Türkiyen për mbështetjen e saj të palëkundur dhe miqësinë e qëndrueshme që ka ofruar gjatë viteve. Jemi të vendosur për forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë dhe shpresojmë që me entuziazëm të madh të shfrytëzojmë mundësitë që ofron bashkëpunimi ynë."

Urime me rastin e Ditës së Republikës së Türkiyes kanë ardhur gjithashtu nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë.

"Urimet më të përzemërta për Qeverinë dhe popullin e Türkiyes me rastin e shpalljes së Republikës së Türkiyes. Miqësia e qëndrueshme dhe partneriteti i gjallë strategjik mes Shqipërisë dhe Türkiyes vazhdojnë të forcohen çdo vit," thuhet në mesazhin e publikuar në profilin zyrtar në X të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Festa Kombëtare e Ditës së Republikës në Türkiye shënohet më 29 tetor në kujtim të shpalljes së Republikës së Türkiyes në vitin 1923. Republikën e shpalli komandanti Mustafa Kemal Atatürk, të cilin Asambleja e Madhe Kombëtare e vendit e zgjodhi më pas si presidentin e parë të Türkiyes moderne.

Një nga festat më të mëdha kombëtare shënohet me një seri aktivitetesh përkatëse anembanë vendit, duke përfshirë dhe vendosjen e kurorave në Anitkabir, mauzoleun e Atatürkut.

TRT Balkan / agjencitë