Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga familjarë të tij. Ata shkruan në rrjetet sociale se Kabashi u shua pas mesnate, në orët e para të datës 5 dhjetor.
“Të nderuar miq, kolegë dhe dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se Mirush Kabashi ndërroi jetë të martën, më datë 5 dhjetor pas mesnate. Përsa u përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do t’ju komunikojmë në orët në vazhdim”, njoftuan ata.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova.
Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare, ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.
Në 1970 u diplomua për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera u aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
Pasioni për aktrimin u shfaq që në fëmijëri tek artisti. “Mbaj mend që në fëmijëri i kam pasur shumë qejf jo vetëm shfaqjet teatrore por edhe filmat. Tani, i kujtoj pak me buzëqeshje kur mendoj që një film si Hamletin e kam parë mbi 15 herë me lloj-lloj pozicionesh, në kinemanë verore ose atë dimërore. Gjithmonë kam pasur dëshirë të shihja filma, të admiroja dhe të diskutoja për artistët pjesëmarrës. Pastaj afrimi me aktrimin qe një okazion”, shprehej aktori në një intervistë të dhënë për mediat.
Interpretimi dhe ngjyrimi emocional i roleve e veçonin Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, të përzgjedhur me mënçuri dhe intuitë. Spikati në rolet satirike dhe komike. U dallua fillimisht me krijimin e figurës qesharake të Telit në komedinë Kartela e verdhe e Haxhi Ramës (1976), ku luajti me lirshmëri dhe tifozin e pasionuar që ndjek skuadrën dhe lojtarin e tij të zemrës ndeshje pas ndeshje e hall pas halli duke përdorur një shumësi detajesh shprehësi, si në plastike ashtu edhe në mënyrën e të folurit.
Ky rol u pasua me tutje me karaktere të tilla komike, si: Diafarusi në komedinë “I sëmuri imagjinar e Molierit” (1982), me të cilin luajti mjaft bukur me elegancën plastike të tij, me përpunimin e gjestit, ç’ka i dhanë Kabashit hirin, sharmin, ngjyrimin dhe stilin klasiçist.
Një pjesë të jetës së tij ia kushtoi edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Roli i Sokratit është ndoshta kulmi i tij artistik, ku fuqia interpretuese arrin në caqe vërtet të lavdërueshme dhe realisht konkurruese në rrafsh ndërkombëtar.
Në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori mëi mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002”me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes një mijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzet e gjashtë vende të botës.
Kabashi është vlerësur me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.