Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka shënuar një dekadë të Javës së të Drejtave të Njeriut me konferencën "Luftimi i gjuhës së urrejtjes: Obligimet e shtetit" që u fokusua në gjuhën e urrejtjes që targeton komunitetet e margjinalizuara.
Në këtë konferencë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Avokati i Popullit Naim Qelaj, ambasadorë të vendeve të huaja në Kosovë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe të organizatave që merren me të drejtat e njeriut.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit dhe, sipas tij, gjithçka bëhet e vështirë nëse nuk besohet në këto të drejta.
Kurti tha se edhe gjeneza e fjalës "individ" nënkupton pandashmëri, pra shoqëria sipas tij duhet parë si e unifikuar.
"Të drejtat e njeriut do të duhej sa më shumë të shfrytëzohen edhe për të spikatur që secili prej nesh është qenie njerëzore i pandashëm sepse individi është i pandashëm. Pra, secili prej nesh është i pandashëm, por të gjithë ne jemi bashkë në shoqëri, kjo pikënisje është thelbi dhe themeli i qytetërimit", theksoi ai.
Kryeministri Kurti tha se Qeveria ka ndërtuar mekanizma dhe platforma sikurse ajo onlajn "Raporto Diskriminimin" për raportimin e diskriminimit, derisa u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë diskriminimin kudo që e hasin atë.
"Po i avancojmë politikat, po forcojmë mekanizmat institucional dhe po rrisim buxhetimin e nevojshëm për zbatimin e ligjeve dhe promovimin e respektimin e garantimin e të drejtave të njeriut", shtoi Kurti.
Drejtoresha e YIHR në Kosovë, Marigona Shabiu, tha se të drejtat e njeriut nuk janë opinion personal, por janë të drejta universale e të patjetërsueshme, për të gjithë, pa dallim. "Liderët politikë dhe të gjithë ne jemi të përkohshëm. Por, shteti dhe trashëgimia që ai lë pas do të lë gjurmë të përhershme”, theksoi Shabiu.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) përmes shumë aktiviteteve me aktorë relevantë nga 6 deri më 10 dhjetor do të diskutojë me synim të ngritjes së vetëdijes kundër gjuhës së urrejtjes. Po ashtu, do të theksohet ndikimi i gjuhës së urrejtjes në forcimin e stigmës, diskriminimit dhe dhunës te komunitetet e margjinalizuara në Kosovë.