Pekini dhe Ankaraja ndajnë “pikëpamje të njëjta ose të ngjashme” për konfliktin izraelito-palestinez dhe krizën ukrainase, tha dje presidenti i Kinës Xi Jinping gjatë një takimi me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdoğan.
Kina dhe Türkiye “duhet të komunikojnë nga afër” për këto çështje, ka thënë Xi.
Xi dhe Erdoğan u takuan në kryeqytetin e Kazakistanit Astana, në margjinat e një samiti të liderëve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).
Diskutimi mbi Palestinën dhe Ukrainën midis dy udhëheqësve, të cilët u takuan për herë të fundit në qytetin historik të Samarkandit të Uzbekistanit në shtator 2022, erdhi ndërsa lufta e Izraelit në Gaza po vazhdon për gati nëntë muaj, duke vrarë mbi 38.000 palestinezë,
shumica e të cilëve gra dhe fëmijë. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka kaluar më shumë se dy vjet, me qindra të vdekur dhe miliona të zhvendosur.
Në një deklaratë nga Pekini zyrtar thuhet se Xi ka shprehur gatishmërinë e Kinës për të “forcuar koordinimin dhe bashkëpunimin” me Türkiyen brenda kornizave shumëpalëshe si OKB-ja dhe G20.
Marrëdhëniet me Türkiyen “kanë ruajtur një vrull të qëndrueshëm zhvillimi (dhe) të dyja janë vende kryesore në zhvillim dhe anëtarë të Jugut Global”, ka thënë presidenti kinez.
Ai ka vënë në dukje se të dy vendet “kanë një konsensus të gjerë në ndjekjen e zhvillimit dhe rivitalizimit të vendeve të tyre përkatëse dhe ruajtjen e normave të marrëdhënieve ndërkombëtare”.
“Të dyja palët duhet të mbështesin njëra-tjetrën në mbrojtjen e interesave thelbësore, të konsolidojnë vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik, të promovojnë bashkëpunimin reciprokisht të dobishëm të nivelit të lartë dhe të promovojnë një zhvillim më të madh të marrëdhënieve strategjike të bashkëpunimit Kinë-Türkiye”, ka thënë ai.
“Kina mbështet Türkiyen në marrjen e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve të saj kombëtare”, ka deklaruar Xi, duke kërkuar që të dy palët të zgjerojnë tregtinë.
Ai ka shprehur mbështetjen e tij për kompanitë kineze për të rritur investimet e tyre në Türkiye dhe ka inkurajuar më shumë qytetarë kinezë të vizitojnë vendin.