20 mijë foshnja të lindura në Gaza, 135 mijë në rrezik nga kequshqyerja / Photo: AA

Gati 20.000 foshnja kanë lindur gjatë luftës aktuale në Rripin e Gazës, ndërsa 135.000 fëmijë nën moshën dy vjeç janë në "rrezik serioz" nga kequshqyerja, kumtoi të premten UNICEF-i.

“Situata e grave shtatzëna dhe të porsalindurve në Rripin e Gazës është përtej besimit dhe kërkon veprim të intensifikuar dhe urgjent”, tha Tess Ingram, zëdhënëse e UNICEF-it në Gjenevë.

Ajo shtoi se përkeqësimi i sistemit shëndetësor në Rripin e Gazës e përkeqësoi situatën.

Theksoi se nënat përballen me sfida të paimagjinueshme në qasjen e kujdesit adekuat mjekësor, ushqimit dhe mbrojtjes para, gjatë dhe pas lindjes.

Ajo theksoi se traumat e luftës prekin drejtpërdrejt të sapolindurit, gjë që rezulton me një shkallë më të lartë të kequshqyerjes, probleme zhvillimore dhe komplikime të tjera shëndetësore.

Gratë shtatzëna dhe gjidhënëse dhe foshnjat e tyre jetojnë në “kushte çnjerëzore, strehimore të improvizuara me ushqim të dobët dhe ujë të pasigurt”.

“Rreth 135.000 fëmijë nën dy vjeç janë në rrezik serioz nga kequshqyerja”, paralajmëroi Ingram.

Duke folur për shkallën e vdekshmërisë në mesin e 20 mijë të porsalindurve, Ingram vuri në dukje se për shkak të kushteve aktuale nuk mund të përcaktohet shifra e saktë.

"Por, mund të thuhet me siguri se këta fëmijë tani po vdesin për shkak të krizës humanitare në terren, si dhe nga bombat dhe plumbat", tha ajo.

Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës më 7 tetor të vitit të kaluar pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

Të paktën 24.620 palestinezë janë vrarë dhe 61.830 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, tha ministria e shëndetësisë në enklavën e rrethuar palestineze.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 85 për qind e popullsisë së Gazës është e zhvendosur brenda vendit për shkak të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar.


TRT Balkan / agjencitë