35.000 banesa në Gaza të shkatërruara plotësisht nga sulmet izraelite.     /Foto: AA

Izraeli ka përdorur përafërsisht dy eksplozivë me madhësi të bombës atomike në sulmet e tij në Rripin e bllokuar të Gazës që nga 7 tetori, duke shkatërruar plotësisht 35.000 njësi banimi.

Zyra për media e qeverisë në Gaza publikoi detajet e sulmit, i cili po vazhdon tashmë për 28 ditë me radhë.

Në njoftim thuhet se ushtria izraelite sulmoi Rripin e Gazës me 25 tonë eksploziv, që ishte e barabartë me fuqinë e rreth dy bombave atomike.

Është raportuar gjithashtu se Izraeli ka kryer më shumë se 12.000 sulme ajrore në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke synuar zonat civile si shtëpitë, institucionet publike, shkollat ​​dhe spitalet.

Zyra për media e qeverisë në Gaza njoftoi se më shumë se 212.000 njësi banimi u dëmtuan nga bombardimet izraelite, nga të cilat 35.000 u shkatërruan plotësisht.

Gjithashtu, u shkatërruan 85 ndërtesa dhe objekte shtetërore, përfshirë qendrën kulturore ortodokse.

Zyra e shtypit tha se ushtria izraelite goditi 214 shkolla, nga të cilat 45 ishin jashtë funksionit për shkak të sulmit.

Ata publikuan gjithashtu informacione se Izraeli vrau 135 punonjës shëndetësorë, 40 gazetarë, 18 oficerë të mbrojtjes civile dhe 49 zyrtarë fetarë në sulmet e tij.

Gjithashtu, u njoftua se 54 xhami u shkatërruan plotësisht dhe 110 xhami u shkatërruan pjesërisht në sulmet izraelite, si dhe u dëmtuan gjithsej 164 xhami dhe tri kisha.

Ata kujtuan gjithashtu se spitali indonezian pushoi së punuari për shkak të mungesës së karburantit, ndërsa së punuari u ndalua edhe një nga gjeneratorët që mban “gjallë” spitalin Shifa, objekti më i madh shëndetësor në Gaza, që strehon mijëra të lënduar dhe civilë.

“Forcat okupuese synojnë qëllimisht zonat e mbipopulluara të banuara si kampet e refugjatëve Jabalia, Al-Burayj dhe Al-Shati”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, u njoftua se Izraeli kreu 965 masakra në 27 ditë, dhe se 9,061 njerëz u vranë, duke përfshirë 3.670 fëmijë dhe 2.326 gra, 2,060 njerëz janë të zhdukur dhe rreth 32.000 njerëz u plagosën.

Ata paralajmëruan gjithashtu për numrin e madh të të vdekurve nën rrënoja dhe për erërat që përhapen në zonë. Paralajmëruan se kjo mund të shkaktojë përhapjen e sëmundjeve epidemike.

Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që kur grupi palestinez Hamas filloi një ofensivë të paparalajmëruar kundër Izraelit më 7 tetor.

9.227 palestinezë janë vrarë në sulmet e deritanishme izraelite në Rripin e Gazës.

Izraeli njoftoi se më shumë se 1.400 izraelitë, përfshirë 315 ushtarë, u vranë në sulmet nga Gaza dhe 5.132 persona u plagosën.

Sipas Izraelit, numri i ushtarëve të vrarë në përleshjet në Rripin e Gazës që nga 31 tetori është rritur në 23.

Që nga 7 tetori, forcat izraelite dhe kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor dhe Al-Quds kanë vrarë 138 palestinezë.

Duke synuar spitalin Shifa, objekti më i madh mjekësor në Gaza me mijëra të plagosur dhe civilë, ushtria izraelite goditi gjithashtu Spitalin Al-Ahli Baptist dhe Spitalin e Miqësisë Turko-Palestineze si dhe bombardoi zonën përreth spitalit Kuds dhe spitalin Indonezian.

TRT Balkan / agjencitë