Abbas: Turp për të gjithë ata që mbështesin Izraelin      / Foto: AA

Presidenti i Palestinës Mahmoud Abbas deklaroi se sulmet në Gaza janë turp për të gjithë ata që ofrojnë mbështetje ushtarake dhe politike për Izraelin.

Siç raporton Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, Abbas ka mbajtur një fjalim me rastin e 35-vjetorit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Palestinës.

Abbas theksoi se lufta mizore e Izraelit është luftë kundër ekzistencës, identitetit kombëtar, tokës dhe identitetit humanitar të palestinezëve. Duke thënë se lufta e Izraelit ndaj Gazës është pjesë e zinxhirit të sulmeve të vazhdueshme, Abbas tha se kjo luftë është turpi i kujtdo që ofron mbështetje ushtarake dhe politike për Izraelin.

"Trupat e pajetë të fëmijëve të copëtuar nga raketat e Izraelit gjatë sulmeve, gjaku i burrave dhe grave tona, jetët dhe ëndrrat e të cilëve u shkatërruan nga raketat e ushtrisë agresore, do të mbetet mallkim për pushtuesit dhe ata që qëndrojnë pas tij ose heshtin përballë këtyre krimeve të luftës të kryera kundër popullit tonë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kuds", tha Abbas.

Ai theksoi se "Gaza është pjesë integrale e shtetit palestinez dhe përgjegjësia jonë kombëtare nga e cila ne nuk mund të heqim dorë. Ekzistenca e Gazës është ekzistenca e Bregut Perëndimor, përfshirë Kudsin".

Abbas tha se prioriteti aktual është ndalimi i sulmit brutal kundër popullit palestinez dhe parandalimi i gjakderdhjes së mëtejshme. Ai tha se do të vazhdojnë të luftojnë kundër planeve për të detyruar palestinezët të migrojnë nga tokat e tyre.

Çdo vit më 15 nëntor, Palestina feston shpalljen e "Deklaratës së Pavarësisë", e cila përfshinte krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin si kryeqytet, nga udhëheqësi palestinez Jaser Arafat në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Palestinez në Algjeri më 15 nëntor 1988.

TRT Balkan / agjencitë