Aeroporti Ndërkombëtar i Damaskut do t'i rifillojë fluturimet ndërkombëtare të martën, sipas kreut të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Transportit Ajror Sirian.
Në një deklaratë për agjencinë zyrtare siriane të lajmeve SANA, Ashad Al-Suleibi siguroi linjat ajrore rajonale dhe ndërkombëtare se po bëhen përpjekje për t'i rehabilituar plotësisht aeroportet si në Damask ashtu edhe në Halep, dy qytetet më të mëdha të Sirisë, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.
“Ne jemi të kënaqur të njoftojmë rifillimin e fluturimeve ndërkombëtare drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Damaskut duke filluar nga 7 janari”, tha ai.
Masa vjen pas më shumë se një dekade të trafikut ajror të pezulluar. Në vitin 2012, shumica e linjave ajrore ndaluan fluturimet drejt dhe nga kryeqyteti Damask për shkak të shtypjes së dhunshme të regjimit ndaj protestave që shpërthyen në vitin 2011, duke shënuar fillimin e luftës civile në vend.
Qatar Airways u bë linja ajrore e parë ndërkombëtare që njoftoi rikthimin e fluturimeve, duke planifikuar tri shërbime javore për në Damask duke filluar nga e marta.
Bashar Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit dhjetëravjeçar të Partisë Baath.
Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa ka marrë tani udhëheqjen e vendit.