Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka përsëritur angazhimin e palëkundur të vendit të tij për paqen në Gaza, duke deklaruar se Türkiye do t’i vazhdojë përpjekjet “derisa të arrijmë rezultate”.
Duke folur pas një takimit të kabinetit presidencial, presidenti Erdoğan falënderoi popullin turk për solidaritetin e vazhdueshëm me palestinezët. Ai tha se javën e kaluar pothuajse gjysmë milioni njerëz, që demonstruan në Istanbul, treguan se Gaza nuk është vetëm.
"Më 1 janar, qytetarët tanë dërguan një mesazh të fuqishëm për botën, duke demonstruar mbështetjen e palëkundur të Türkiyes për Palestinën”, tha Erdoğan.
Duke theksuar se pas “61 vjet shtypjesh” dhe “13 vjet masakrash” nga partia Baath në Siri, presidenti turk tha se, “Ashtu siç besimi dhe durimi mbizotëruan në Siri, me vullnetin e Zotit, drejtësia do të mbizotërojë edhe në Palestinë dhe dielli i drejtësisë do të depërtojë në errësirën e shtypjes”.
Më tej, Erdoğan theksoi qëllimin afatgjatë të Türkiyes për Palestinën.
“Një shtet i pavarur dhe sovran palestinez me integritet territorial bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me Kudsin Lindor si kryeqytet, sigurisht që do të krijohet", theksoi presidenti turk.
Erdoğan gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë palestinezët dhe shprehu shpresën se viti i ri do të sjellë paqe dhe lehtësim për ata që vuajnë në Gaza.
Türkiye, tha Erdoğan, po bën "çdo gjë që duhet për të hapur një derë që do të ringjallë shpresat për paqen në Gaza”. Ai shtoi se se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet derisa ato të japin fryte.
Lufta kundër terrorizmit dhe Siria
Më tej, Erdoğan tha se Türkiye ka treguar përkushtimin e saj të vendosur për mbijetesën dhe sigurinë e saj, duke shtuar se nëse është e nevojshme “ne mund të vijmë në mënyrë të papritur një natë”.
"Fati i vetëm që i pret ata që preferojnë terrorin dhe dhunën është varrosja me armët e tyre", tha ai.
“Türkiye nuk do ta pranojë fragmentimin e Sirisë ose prishjen e strukturës së saj unitare”, tha Erdoğan, duke theksuar se do të ndërmerren veprime të shpejta nëse paraqitet ndonjë rrezik.
Ai gjithashtu tha se investimet e Ankarasë në industrinë e mbrojtjes nuk kanë për qëllim përgatitjen për luftë, por për të ruajtur dhe mbrojtur paqen, pavarësinë, të ardhmen dhe sovranitetin.