Afrika e Jugut paraqiti sot prova të reja në gjykatën më të lartë të OKB-së për t'i forcuar akuzat e saj se Izraeli po kryen gjenocid në enklavën e rrethuar palestineze të Gazës.
Memoriali, siç njihet në gjuhën ligjore, përfshin prova të reja se Izraeli ka “shkelur konventën e gjenocidit duke promovuar shkatërrimin e palestinezëve që jetojnë në Gaza, duke i vrarë fizikisht me një sërë armësh shkatërruese, duke u privuar atyre aksesin në ndihmën humanitare”. tha Cyril Ramaphosa, presidenti i Afrikës së Jugut.
Provat tregojnë se veprimet e Izraelit kanë për qëllim shkatërrimin fizik të palestinezëve, si dhe “injorimin dhe sfidimin” e disa masave të përkohshme të urdhëruara më parë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Izraeli “po përdor ndërprerjen e ushqimeve si armë lufte dhe për të avancuar synimet e Izraelit për të shpopulluar Gazën përmes vdekjes masive dhe zhvendosjes së detyruar të palestinezëve”, tha ai, duke iu referuar provave të detajuara në mbi 750 faqesh tekst, të mbështetura nga dokumente dhe anekse me mbi 4.000 faqe.
Provat e reja mbështetëse mund të mos bëhen publike, tha ai.
Ramaphosa tha se dorëzimi i provave ndodh pikërisht në kohën kur Izraeli po intensifikon vrasjen e civilëve në Gaza dhe “tani duket se synon të ndjekë një rrugë të ngjashme shkatërrimi në Liban”.
Izraeli tani duhet të paraqesë një përgjigje për provat e reja deri më 28 korrik të vitit të ardhshëm.
Afrika e Jugut ngriti procesin e gjenocidit kundër Izraelit në gjykatën me seli në Hagë në fund të vitit 2023, duke akuzuar Izraelin, i cili ka bombarduar Gazën që nga tetori i kaluar, për dështimin në respektimin e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.
Disa vende, përfshirë Türkiyen, Nikaraguan, Palestinën, Spanjën, Meksikën, Libinë dhe Kolumbinë, i janë bashkuar çështjes në GjND, e cila filloi seancat dëgjimore në janar.
Gjykata e lartë në maj urdhëroi Izraelin të ndalonte ofensivën e tij në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Kjo ishte hera e tretë që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh lëshonte urdhra paraprakë duke kërkuar t'u jepej fund vdekjeve dhe shkatërrimeve në enklavën e bllokuar, ku që nga 7 tetori 2023 janë vrarë afro 43 mijë palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra.