Shtypja e shfaqjes të mbështetjes për palestinezët që përballen me sulmet vdekjeprurëse izraelite është "një kërcënim për të drejtat e njeriut në gjithë Evropën", vlerëson aktivistja izraelite Zohar Chamberlain Rege.
"Unë jetoj në Frankfurt dhe neve na është ndaluar vazhdimisht të veshim Kefije, të mbajmë flamurin palestinez, të demonstrojmë në rrugë, madje edhe të ulemi në një demonstratë të qetë me qirinj për njerëzit e masakruar në Gaza. Ne jemi shpërndarë nga policia me topa uji", tha Regev për Anadolu në qytetin jugor turk Adana, e cila ishte po ashtu në mesin e shumë njerëzve që u mblodhën para bazës ajrore Incirlik gjatë fundjavës si pjesë e "Kolonës së Lirisë për Palestinën", organizuar nga Fondacioni i Ndihmës Humanitare të Türkiyes (IHH).
Regev, një anëtare e komitetit drejtues të Flotilës së Lirisë së Gazës për vite me radhë, ishte gjithashtu drejtuese e anijes për organizatën Al-Awda, një nga disa anijet në flotilje që u rrëmbye në ujërat ndërkombëtare nga marina izraelite në verën e vitit 2018.
Ajo dhe miqtë e saj aktivistë u mblodhën në Istanbul për të hartuar strategji se si të sfidojnë bllokadën ligjore dhe humanitare, veçanërisht duke pasur parasysh rrethanat e rënda në Rripin e Gazës, ku sulmet izraelite kanë vrarë tani më shumë se 10.500 njerëz.
"Unë mendoj se absolutisht nuk ka liri të shprehjes kur bëhet fjalë për Palestinën. Dhe unë mendoj se ky është një kërcënim për të drejtat e njeriut në gjithë Evropën", tha ajo.
Ajo tha se dështimi për të zbatuar një armëpushim për të ndaluar sulmin vdekjeprurës të Izraelit në Rripin e Gazës është një turp global, ndërsa kritikoi vendet si ShBA-ja dhe Britania e Madhe për furnizimin e armëve për Izraelin dhe në thelb, zgjatjen e krizës.
"Mendoj se duam t’u dërgojmë një mesazh palestinezëve në përgjithësi dhe popullit të Gazës në veçanti, se ne nuk do t'i harrojmë ata, edhe atëherë kur nuk ka lidhje interneti, kur ata janë plotësisht të izoluar", tha Regev.
"Ne kujtojmë se ata kanë nevojë që bota t'i shikojë ata dhe të bëjë diçka kundër asaj që po bëhet", shtoi ajo.