Algjeria akuzoi Izraelin për lënien në uri të palestinezëve në Rripin e Gazës dhe kërkoi ndërhyrje nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).
Përfaqësuesi i Përhershëm i Algjerisë në OKB, Amar Bendjama, në fjalimin e tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të KS-OKB-së të mbajtur me kërkesë të vendit të tij, tha se "Izraeli po zbaton politikë të qëllimshme të lënies në uri të popullit palestinez në Gaza".
Ai potencoi vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) dhe OKB-së që Izraeli të ndalojë sulmet e tij në Gaza dhe të heqë të gjitha pengesat që pengojnë ofrimin e ndihmës së nevojshme humanitare.
"Përgjigjja e autoritetit pushtues ndaj vendimeve të GjND-së dhe OKB-së është injorimi i tyre, mbyllja e kalimeve, vendosja e më shumë kufizimeve dhe përdorimi i urisë si mjet lufte", tha Bendjama.
Duke kujtuar se më 13 tetor 2024 Izraeli sulmoi tendat ku po qëndronin civilët në Deir al-Balah të Gazës dhe se të paktën 4 persona u dogjën për vdekje në këtë sulm, Bendjama theksoi se jetët e civilëve palestinezë ishin në rrezik dhe bëri thirrje për veprim.