Ambasadori i Palestinës në Kombet e Bashkuara (OKB) Riyad Mansour ka paralajmëruar botën për sulmin e vazhdueshëm të Izraelit në Rripin e Gazës. "Gaza do të ndjekë ndërgjegjen e botës shumë kohë pasi ky gjenocid të ndalojë. Dhe duhet të ndalet tani, tani!", tha mbrëmë Mansour në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi situatën në Lindjen e Mesme.
Ambasadori palestinez tha se, edhe pse bota e kundërshton sulmin e Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, Izraeli megjithatë po vazhdon me sulmin.
"Izraeli fyen dhe manipulon miqtë dhe aleatët e tij më të ngushtë", tha Mansour duke shtuar:
"Izraeli kërkon që ju me duart tuaja të shkatërroni rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtat e njeriut, në mënyrë që të vazhdojë të vrasë popullin tonë dhe të aneksojë tokën tonë në pandëshkueshmëri të plotë. Nuk do të dëgjojë arsyen ose protestat tuaja, thirrjet apo kërkesat tuaja".
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Rripin e Gazës pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm. Mbi 35.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.600 të tjerë janë plagosur që nga tetori i vitit të kaluar pas një sulmi nga Hamasi.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Rripit të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për "gjenocid" në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi, si dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.