Arabia Saudite planifikon të investojë 500 miliardë dollarë (rreth 474 miliardë euro) në sektorin e turizmit në 15 vitet e ardhshme.
Ministri i Turizmit i Arabisë Saudite, Ahmed Al Khateeb, në një fjalim në kryeqytetin saudit, Riad, prezantoi planet e vendit në fushën e turizmit.
Ai theksoi se synimi është që vendi deri në vitin 2030 të bëhet destinacioni i shtatë më i madh turistik në botë përmes projekteve të ndryshme.
“Arabia Saudite planifikon të investojë më shumë se 500 miliardë dollarë në sektorin e turizmit në 15 vitet e ardhshme”, shtoi Al Khateeb.
Duke iu referuar qëllimit të investimit, Al Khateeb tha se do të krijojë oferta të reja turistike dhe do të rrisë më tej infrastrukturën turistike.
Ai theksoi se burimi më i rëndësishëm i turizmit në Arabinë Saudite është "turizmi fetar", por ata kanë intensifikuar përpjekjet për ndërtimin e objekteve të reja që do ta ringjallin turizmin aventurier, turizmin bregdetar, turizmin në shkretëtirë, turizmin ujëor, turizmin historik dhe turizmin sportiv.
Sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të ardhurat nga turizmi në Arabinë Saudite arritën një maksimum historik prej 36 miliardë dollarësh (34,1 miliardë euro) në vitin 2023, pas një rritjeje neto të të ardhurave nga turizmi prej 38 për qind.