Forcat siriane të sigurisë arrestuan Atef Najibin, një kushëri i Bashar Asadit dhe ish-shef i sigurisë politike në qytetin Daraa të Sirisë, për krime kundër civilëve, përfshirë fëmijët.
Arrestimi u konfirmua nga nënkoloneli Mustafa Knefati, drejtor i Drejtorisë së Sigurisë Publike në Latakia në veriperëndim të Sirisë, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
“Në një operacion të synuar, Drejtoria e Sigurisë Publike në Latakia, në koordinim me forcat ushtarake, kapi me sukses gjeneralin Atef Najib, ish-kryetar i Degës së Sigurisë Politike në Daraa”, tha Knefati, duke shtuar:
"Ky veprim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve për t'i mbajtur autorët përgjegjës për shkeljet kundër popullit sirian dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon".
Najib është transferuar te autoritetet përkatëse për gjykim, tha Knefati.
Sipas mediave lokale, Najib është një kushëri i Asadit dhe ka lindur në qytetin bregdetar Jableh.
Ai diplomoi në Akademinë Ushtarake para se t'i bashkohej shërbimeve të inteligjencës, ku mbajti poste të ndryshme, e më së shumti drejtoi Degën e Sigurisë Politike në Daraa. Ai akuzohet se është një nga të parët që ka kryer shkelje kundër civilëve në fillimin e kryengritjes së vitit 2011.
Ai gjithashtu fajësohet për arrestimin dhe torturimin e fëmijëve në Daraa, të cilët kishin shkruar slogane kundër regjimit në mure, një incident që shkaktoi protestat fillestare në Siri.
Pas rrëzimit të regjimit të Asadit, filloi një proces i ofrimit të pajtimit për anëtarët e ish-regjimit, për t'i dorëzuar armët e tyre. Megjithatë, refuzimi i disa anëtarëve çoi në përleshje në provinca të ndryshme.
Më 8 dhjetor 2024, grupet siriane kundër regjimit morën kontrollin e plotë të Damaskut pas fitoreve në qytete të shumta, duke u dhënë fund 61 viteve të sundimit të Partisë Baath dhe 53 viteve të qeverisjes së familjes Asad.