Autoritetet shëndetësore: Karburanti s'arriti në spitalet në veri të Gazës      / Foto: AA

Autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës kanë bërë të ditur se asnjë karburant nuk ka arritur në spitalet në pjesën veriore të enklavës, pavarësisht pauzës humanitare.

Duke folur për Anadolu, drejtori i spitaleve në Gaza, Munir al-Bursh, tha se ajo që arriti në zonat veriore të Gazës ishte “një sasi e vogël karburanti dhe u mor nga Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) për të operuar puset e ujit brenda kampeve të refugjatëve”.

Zyrtari shëndetësor kërkoi urgjentisht karburant dhe ilaçe për spitalet e Gazës.

Ajo që arriti në spitalet në veri të Gazës, tha al-Bursh, është vetëm një kontejner me 100 shtretër, i cili u dorëzua në Spitalin Indonezian.

Më herët, autoriteti palestinez i kalimit tha për Anadolu se rreth 150 kamionë me ndihma hynë në Gaza dje, përfshirë shtatë kamionë me benzinë, në kuadër të kushteve të pauzës humanitare të rënë dakord për luftën në Gaza.

Pauza humanitare e vendosur fillimisht për katër ditë midis Izraelit dhe fraksioneve palestineze, hyri në fuqi në orën 7 të mëngjesit të së premtes.

Marrëveshja e pauzës humanitare përfshinte lirimin e 50 pengjeve izraelite nga Gaza në këmbim të lirimit të 150 palestinezëve gjatë pauzës 4-ditore, si dhe hyrjen e qindra kamionëve të ngarkuar me ndihma humanitare dhe mjekësore, si dhe karburant në të gjitha zonat e Rripit të Gazës.

Izraeli nisi një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Që atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, të paktën 14.854 palestinezë, përfshirë mbi 6.150 fëmijë dhe mbi 4 mijë gra, janë vrarë në enklavë. Numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.

AA